Tema
100 eurot për punëtorët e sektorit privat, Azemi: Pse nuk po ekzekutohet kjo lëmoshë?
Shtesat prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos për përballje me inflacionin nuk janë ekzekutuar ende.
Llogari për këtë ka kërkuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi. Ai nga kryeministri në dëtyrë, Albin Kurti dhe ministri i Financave në dëtyrë, Hekuran Murati ka kërkuar të tregojnë se pse këto mjete po vonohen, raporton KosovaPress.
Ani se këto shtesa i cilësoi si “lëmoshë”, Azemi thekson për KosovaPress se këtyre punëtorëve iu është bërë diskriminim si në aspektin e shumës por tashmë edhe në atë të ndarjes.
“Unë sot publikisht kam kërkuar, meqë unë jam në presion nga punëtorët të dinë se çfarë po ndodh, dhe publikisht kam kërkuar nga kryeministri i Kosovës dhe ministri i Financave, që është të dy në detyrë, që të dalin dhe ta shpjegojnë opinionit çka po ndodh me këto mjete dhe pse po vonohen. E thashë një krahasim që na është bërë, është bërë një diskriminim edhe me shumën, edhe me ndarjen, dhe çka po ndodh tek ne tani, pse nuk po ekzekutohen këto, këto po themi kështu një farë pune, kjo lloj lëmoshe”, tha Azemi.
Azemi ka ngritur shqetësime se pse vonesa e ekzekutimit të mjeteve po ndodh vetëm me punëtorët e sektorit privat.
“Përndryshe, edhe këto 100, unë po shpreh shqetësimin tim pse nuk po dalin të njoftojnë punëtorët, me thënë, ‘Po, ju do ta merrni brenda një ditë, dy ditë, tri ditë sepse kemi këto probleme’. Nuk i patëm problemet me punëtorë të sektorit publik, nuk patëm probleme, me mjekët s'patëm probleme, me pensionistët, me mjekët s'patëm probleme, me fëmijët... Me neve çka po ndodh?”, shtoi ai.
Kryetari i kësaj sindikate theksoi se e kanë thënë edhe më herët se miratimi i kësaj pakoje është një “vendim puro politik”, duke potencuar sërish siç u shpreh ai, diskriminimin që iu është bërë atyre në çfarëdo forme.
“Po ne e kemi thënë këtë paraprakisht, se kjo është një vendim puro politik, por megjithatë, edhe nëse është puro politik, së paku zbatojeni atë që e keni thënë. Të them të drejtën, unë kam dyshimet e mia që ndoshta tani mund të ndodhë që zgjedhje do të kemi prapë dhe po t'i qesin këto para, pastaj ju duhen prapë para për zgjedhje të tjera dhe do të, do të mungojnë paratë. Por megjithatë, a priori nuk guxoj të them asgjë, por diçka duhet të them: neve na kanë diskriminuar në çfarëdo forme — në diskriminimin e shumës, në diskriminimin e kritereve që i kanë qitë për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, në diskriminimin për vonesën e këtyre, po them kështu, mjeteve simbolike”, përfundoi Azemi.
KosovaPress ka derguar pyetje edhe tek Ministria e Financave lidhur me këtë proces, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Më 22 maj, Qeveria në detyrë ka miratuar një pako të re për përballje me inflacionin, përmes së cilës mori vendim për ndarjen nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punonjësit e sektorit joprivat. Afati i fundit për aplikim ishte deri më 5 qershor për punëtorët e sektorit privat. Deri tani për pensionistër dhe fëmijët janë ekzekutuar mjetet nga 100 euro.