Ka 18 vjet që kujdeset të shuaj flakë e shpëtoj njerëz.
E, këtë Dejan Jeriniq e bën kudo që ka nevojë në komunat Viti e Kllokot, bashkë me kolegët e komuniteteve tjera në këtë zonë të Anamoravës .
“Asnjëherë nuk kam pasur asnjë problem, madje shoqërohem më shumë me shqiptarët sesa me serbët. Ne jemi këtu bashkë për 12 orë sikur të jemi një familje....Gjatë festave shkojmë për pije, e qerasim njëri-tjetrin, varësisht se e kujt është festa. Pothuajse gjithmonë jemi bashkë për pije.... Unë nuk i shikoj njerëzit sipas kombësisë, unë shikoj se çfarë njerëzish janë, a janë njerëz të mirë. Detyra ime është që të shkoj t’i shpëtoj të gjithë, t’u ofroj ndihmën e parë aq sa mundem”, theksoi ai.
Sado që ndonjëherë puna e lodhë, për 41 vjecarin mirënjohja dhe falënderimet që merr nga qytetarët mbeten motivimi më i madh për ta kaluar çdo vështirësi gjatë shërbimit.Në fakt, Jeriniq është vetëm njëri nga dy serbët në brigadën e Vitisë ku 35 zjarrëfikësit e tjerë janë shqiptarë.
Komandanti i tyre, Hetem Jakupi thotë se zjarrfikësit janë një familje e bashkuar, ku nuk ka dallime. Ai thotë se në çdo alarm, ekipi reagon me përkushtim maksimal për të shpëtuar jetë, duke qenë gjithmonë pranë çdo qytetari që ka nevojë.
Zëvendëskomandanti i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Mitrovicën e Jugut, Sabri Abazi pohon se mjafton një thirrje nga baza qendrore e Agjenisë së Emergjencave që zjarrfikësit të bashkohen në ndihmë të qytetarëve, pa dallim kombësie.
“Ne e bëjmë bashkëpunimin përmes qendrës së alarmimit 112. Të cilët në rast nevoje na thërrasin dhe koordinohemi përmes qendrës së alarmimit 112.... Sa ka nevojë, për kohën që e kemi... kemi bashkëpunimin, dalim, shkojmë, ju ndihmojmë. Njëherë e një kohë edhe vijnë na ndihmojnë pa pengesa, në mënyrë profesionale... Komunikimi është i mirë, bisedojmë me ta në raste të intervenimeve. Nuk kemi pengesë as ne, po as ata. Krejt kjo varet qysh kanë intervenime ata, nëse kanë nevojë, edhe ne në qoftë se kemi nevojë për bashkëpunim.... Pa dallim ne jemi që shërbejmë si komunitetit serb, si komunitetit rom, ashkalinj, egjiptian, boshnjak. Pa dallim ne shkojmë nëpër intervenime dhe nuk e shikojmë se cilës kombësi i përket”, deklaroi Abazi.
Abazi thotë se në shumë raste zjarrfikësit nga jugu dhe veriu kanë intervenuar bashkë për të lokalizuar zjarret.
Sami Beqiri është njëri nga zjarrëfikësit e jugut, që nuk ngurron asnjëherë të ndërhyjë e ndihmojë në pjesën veriore të Kosovës e cila është e banuar me shumicë serbe. Për punën që e bënë që nga paslufta, thotë se është fisnike dhe se e bënë me dashuri e pa dallime.
“Në momentin që vijmë dhe pranojmë detyrën është për t’i ndihmua çdo kujt që ka nevojë pa marr parasysh a është serb, rom, turk, boshnjak të gjithë tek ne janë njësoj për tu dal ndihmë. Misioni ynë është me shpëtua jetë njerëzish dhe të mira materiale...16\06 Kemi për zjarre, për shtëpi, kemi kërkim shpëtim, ka që bien në ujë në pjesën andej, aksidente të ndryshme na ka bie me bashkëpunua bashkë...Bashkëpunimi shumë i mirë, në moment aty nuk dihet i kryejmë punë e dimë natyrën e punës çdo gjë është në rregull”, deklaroi ai.
Kësisoj, serbi Bojan Angjelkoviq i cili nga viti 2010 është pjesë e Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Lipjan thotë se tash flet edhe shqip.
Sipas tij edhe ushtrimi i misionit tek komuniteti në përgjithësi pavarësisht përkatësisë etnike bëhet pa dallim dhe gjithmonë përfundon me mirënjohje.
“Në përgjithësi mirë ngrënim bashkë, në terren nuk ka dallim a jemi shqiptarë, a serbë punën e kryejmë së bashku ndihmojmë njëri-tjetrin gjatë realizimit pa marr parasysh a tek komuniteti serb apo komunitetit shqiptarë nuk ka kurrfarë dallimi është punë humane ndihmojmë çdo njërin pa marr parasysh çfarë komuniteti janë në gjendje gaditshmërie..07’45 I festojmë festat s bashku ata tonat ne të tyre, nuk kemi kurrfarë problemi”, u shpreh ai.