“Prisnim të na bënin si në Srebrenicë” - 27 vjet pas luftës, Idriz Jusufi rrëfen tmerrin e burgut të Smrekonicës
Lajme
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
“Prisnim të na bënin si në Srebrenicë” - 27 vjet pas luftës, Idriz Jusufi rrëfen tmerrin e burgut të Smrekonicës
Jusufi-foto
27/05/2026 - 12:11
Linku u kopjua

Idriz Jusufit i ishte dashur të largohej nga shtëpia e tij në Rekë të Mitrovicës, gjatë kohës së luftës së Kosovës.

2 maji i vitit 1992 e gjeti atë në Smrekonicë të Vushtrrisë.

Këtë ditë, forcat serbo jugosllave e përzunë atë nga shtëpia ku po rrinte si refugjat i zhvendosur i luftës, bashkë me gruan shtatzënë, djalin rreth një vit e gjysmë dhe të afërm tjerë.

Sapo doli jashtë, policët e ndanë me forcë atë nga familja, sic vepruan edhe me shumë shqiptarë tjerë që u zunë andejpari. Nuk e lanë as ta përqafojë djalin e tij për herë të fundit.

Bashkë me tjerët, e futën në burgun e Smrekonicës.

Këtu u mbajt deri më 22 maj, kur u liruan befasisht dhe u dërguan për në Shqipëri.

Momenti i mbërritjes së Idrizit në Kukës ishte kapur nga kamerat e agjencisë së lajmeve Associated Press. Këtu ai takoi një të afërm. Të dy kishin menduar për njëri-tjetrin se ishte vrarë nga serbët.

27 vjet më pas, KosovaPress e gjeti Idriz Jusufin në shtëpinë e tij në Rekë, ne c’rast ai ka pranuar ta tregojë rrëfimin e tij ekskluziv për ngjarjen e hidhur që kishte përjetuar gjatë majit 1999.

“Arrestimi ka ndodhur më 2 maj, më konkretisht më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Smrekovnicë. Unë isha me bashkëshorten edhe me djalin. Ai i ka pas një vit e gjysmë. Edhe na përzunë nga shtëpitë deri na dërguan afër burgut, unë isha me djalë edhe me bashkëshorte, prindërit i kisha pak më larg. Edhe një polic bënte selektimin e të rinjve dhe i thërriste për me i dërguar në burg. Një prej tyre, për fat të keq, isha edhe unë. E kisha djalin para duarsh, bashkëshortja shtatzënë me fëmijën tjetër dhe më urdhëruan në mënyrë të prerë edhe shumë të egër: ‘Çohu, hajde’. Edhe nuk më lanë as me e dashtë fëmijën. Edhe u desh me ikë me vrap, siç thonë, edhe na çuan në rend derisa na dërguan brenda në burg. Edhe aty, atë natë ka qenë nata e tmerrit kur na kanë arrestuar. Në dhomën e pritjes së burgut të Smrekonicës, një dhomë jo e madhe, shumë e mbingarkuar, pa ujë, ishte vapë deri të nesërmen në mëngjes. Pastaj të nesërmen në mëngjes na i morën shënimet edhe na dërguan në pavijone. Edhe aty qëndruam deri më 22 maj. Mirëpo gjatë asaj kohe sa ishim aty, ka pasur tortura shumë të mëdha, prej më të ndryshmeve”, rrëfen Jusufi.

Jusufi thotë se ai dhe shqiptarët tjerë që u sollën në Burgun e Smrekonicës, por edhe tjerët që ishin aty më herët, u mbajtën në kushte çnjerëzore. Të gjithë, sipas tij, u përballën në baza ditore me rrahje, tortura dhe maltretime brutale nga policia dhe gardianët serbë.

"Aq të pashpirt kanë qenë policët, sa edhe fëmijën e vogël e mësonin si me i rrah shqiptarët", kujton ai.

Ndaj të burgosurve në Smrekonicë nuk bëhej vetëm dhunë fizike. Mbi ta ushtrohej dhe presion i madh psikologjik, Sidomos gjatë marrjes në pyetje.

"Më thonin ti i ke filmuar automjetet tona, i kë dhënë para UÇK-së..."

Pakkush nga të burgosurit kishte besuar se nga Smrekonica do të dilte i gjallë. Idrizi thotë se të gjithë kishin frikë se ata do të ekzekutoheshin në mënyrë masive.

“Pasi e kryem mëngjesin, e pamë nga dritaret e një pavijoni tjetër disa të moshuar që po i lironin. Edhe thamë: ‘Ku po i dërgojnë?’. Shtohej pyetja a po i dërgojnë nëpër shtëpi apo në pushkatim. Me thanë të drejtën, nuk e besoj që ka pasur të burgosur aty që ka besuar se do të na lirojnë. Të gjithë kemi menduar se vetëm po e prisnin momentin me na grumbulluar sikur në Srebrenicë dhe me na pushkatuar të gjithëve. Nuk vonoi shumë dhe filluan me na thirr edhe neve. Erdhën policët te dera e pavijonit dhe thanë: ‘Ai që e thërrasim, le t’i marrë teshat’. Një dokument na e kanë lëshuar për kundërrevolucion, kundër shtetit, ato nenet e tyre, nuk e di qysh quheshin. Thanë mbajeni në dorë dhe te hyrja dorëzojeni. Kur dolëm dhe u rreshtuam, oborri i burgut ishte i mbushur me policë. Nuk shihje asgjë tjetër përveç policëve dhe autobusëve. Na i morën dokumentet dhe na futën në autobusë. Atë ditë nuk e dinim ku po shkonim, a po na dërgonin në pushkatim, nëpër burgjet e Serbisë apo, siç flitej më shumë, te ‘muri i gjallë’ në kufi mes UÇK-së dhe forcave serbe”, tha Jusufi.

Teksa të burgosurit po transferoheshin rrugës nëpër të cilin ata nuk e dinin se ku po shkonin, u ra hise të përballen edhe me grupe të armatosura të paramilitarëve serbë. Për fat të mirë, me ta nuk patën probleme.

"Paramilitarët serbë tentuan të futeshin në autobusin e të burgosurve, nuk i la polici", shton ai.

Kalimi i kufirit dh futja në Shqipëri ishte njëfarë lehtësimi, por edhe një fazë e re e pasigurisë, për secilin të burgosur. Tashti, brenga e tyre ishte se ku janë, ose a janë gjallë familjarët e tyre.

"Nuk kam besuar kurrë se do t’i shoh prapë familjarët dhe se do të dalim gjallë prej burgut."

Lexo po ashtu
Moti sot
Familjen e tij të afërt ai do ta takontë pak më vonë. Ky moment ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën e Idriz Jusufit, për gjithë jetën.

“Kur kam ardhur në kamp, gruan e kam pasur shtatzënë me djalin e dytë, djali i madh ka qenë një vjet e gjysmë, pak më shumë se një vjet e gjysmë. Unë siç dukesha atëherë, pa rru, pa u pastruar, si në kushte të burgut, u mundova ta përqafoj djalin, por nuk më vinte, më kishte harruar. Edhe i thotë bashkëshortja: ‘Hajde djali jem se babi është’. Njëfarë forme e mora me forcë me e dashtë. Pastaj nana, baba, bashkëshortja… gëzim i papërshkrueshëm. Ata kishin qenë të bindur se nuk do të dilnim të gjallë. Ato momente, po them, nuk i harroj kurrë në jetë”, përfundon ai.

Rrëfimi i plotë në sistemin me parapagim...


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026