Biznes
Zbulohen mallra me afat të skaduar dhe mungesë stoku në një depo doganore
Dogana e Kosovës, përmes kontrolleve të rregullta të autorizimeve doganore dhe mbikëqyrjes së mallrave nën kontroll doganor, ka realizuar një vizitë kontrolluese në një depo doganore të autorizuar në rajonin e Mitrovicës. Sipas njoftimit, gjatë kontrollit është verifikuar përmbushja e kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga autorizimi për ruajtjen e mallrave nën mbikëqyrje doganore. “Pas analizimit të dokumentacionit dhe krahasimit të të dhënave elektronike me gjendjen faktike në depo, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se një pjesë e mallrave të depozituara kishte tejkaluar afatin e përdorimit”, thuhet në njoftim. Sipas Doganës, bëhet fjalë për 19,875 kilogramë produkt ushqimor me bazë yndyre bimore, për të cilin është konstatuar se afati i përdorimit kishte skaduar. Për këtë rast është njoftuar menjëherë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyrtarët e së cilës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar gjendjen e mallit, duke urdhëruar asgjësimin e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Mallrat me afat të skaduar janë larguar nga depoja doganore dhe janë transferuar sipas procedurave përkatëse në hapësirat e përcaktuara nga Dogana e Kosovës, deri në përfundimin e procedurave të asgjësimit”, thuhet në njoftim. Po ashtu, gjatë inventarizimit fizik të stokut, është konstatuar një mospërputhje ndërmjet gjendjes së raportuar dhe asaj faktike. Nga sasia që duhej të gjendej nën mbikëqyrje doganore, mungonin 5,450 kilogramë mall, të cilat nuk janë gjetur në hapësirat e depos doganore gjatë kontrollit. Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurat e mëtejshme administrative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizave.
Më shumë nga Biznes
Total: 355
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026