Të nderuar,
KosovaPress ka fatin dhe nderin t’i përkasë një tregu me potencial të madh për zhvillim dhe rritje. Vitet që kemi lënë pas ( e themeluar me 4 janar 1999 ) kanë qenë vite të prosperitetit, inovacionit dhe zhvillimit për ne dhe për mediumet tjera.
Këto vite i konsiderojmë të mbara dhe të suksesshme, veçanërisht duke iu referuar bashkëpunimeve dhe partneriteteve të besuara, të cilat kanë qenë në rritje. Kjo është arritur falë punës së palodhur të stafit dhe partnerëve tanë, duke mos anashkaluar bashkëpunëtorët dhe klientët që kanë pasur besim tek ne.
Gjatë vitit 2016, bëmë një hap përpara dhe, si të parët në vend, shtuam një produkt të ri - platformën ‘Live’. Kjo platformë mundëson transmetimin e aktiviteteve drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes, duke i shpërndarë ato në të gjitha rrjetet sociale. Në këtë mënyrë, do të vazhdojmë edhe më tutje, duke iu përshtatur kërkesave dhe nevojave të tregut për të ruajtur primatin tonë.
Me klientët tanë, shpërndajmë përmbajtje të fuqishme vizuale dhe të shkruara që informojnë në mënyrë të pastër dhe të saktë, edukojnë, angazhojnë dhe frymëzojnë fjalën dhe shprehjen e lirë. Kjo na ka mundësuar të jemi një nga agjencitë më të mëdha në rajon. Që nga viti 2017, jemi bërë anëtarë të Agjencive të Ballkanit dhe Evropës Juglindore
ABNA-SE.
Me partnerë si mediat vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, ambasadat e huaja në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, institucionet, OJQ-të dhe kompanitë private, kemi ndërtuar besueshmëri falë cilësisë së xhirimeve tona video dhe audio, si dhe transmetimeve direkte. Çdo ditë mbulojmë dhjetëra aktivitete ditore, realizojmë tema dhe reportazhe për çështje me ndikim shoqëror, duke punuar 7 ditë në javë, për 365 ditë në vit.
Që nga shtatori i vitit 2018, KosovaPress ka krijuar edhe Departamentin e Produksionit, i cili merret veçanërisht me prodhimin e emisioneve televizive, reklamave dhe videove të ngjashme.
Në vitin 2021, KosovaPress organizoi për herë të parë në Kosovë Asamblenë e Përgjithshme të ABNA-SE, duke marrë presidencën e saj për një vit dhe duke shërbyer në bordin drejtues për tre vitet e ardhshme.
Në shtator të vitit 2022, u pranuam si anëtarë e Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (
EANA).
Me këtë, kemi përmbyllur ciklin e anëtarësimeve globale, duke përmbushur aspiratat ndërkombëtare të Kosovës.
Gjatë këtyre viteve, kemi ecur përpara së bashku, duke kapërcyer sfidat dhe barrierat që kemi hasur gjatë zhvillimit tonë.
Në të ardhmen, presim të arrijmë suksese edhe më të mëdha, duke ndjekur trendet më të reja mediatike në botë.
Viti 2025 pritet të jetë një moment i rëndësishëm për KosovaPress, pasi në tremujorin e parë do të zhvendosemi në selinë e re.
Ky tranzicion do të na ofrojë mundësi për zgjerimin e ndjeshëm të kompanisë me produkte të reja dhe rritjen e cilësisë dhe sasisë së lajmeve për median, bizneset, institucionet dhe OJQ-të, në nivel lokal, rajonal dhe global.
E gjithë kjo arrihet falë besimit tuaj të palëkundur.
Me respekt,
KosovaPress
A.P.L. KosovaPress © 2002-2025