Lajmet e rreme rreth vitit të ri shkollorë 2024/2025, e ato se sa ditë në javë do të mbahet procesi mësimor, kanë ndikuar në jetën e të rinjve të komunitetit joshumicë në komunën e Istogut.
Përveç se këto lajme kanë acaruar ata, të njëjtit janë shprehur se kanë ndikuar edhe në gjendjen emocionale të tyre në mënyrë negative.
Në ditën e fundit të trajnimit të “Edukimit medial me komunitetin jo shumicë në Kosovë”, në komunën e Istogut, pjesëmarrës ishin nxënësit nga shkolla fillore “Fan S. Noli” dhe ata nga gjimnazi “Haxhi Zeka”.
Nxënësja e këtij gjimnazi, Viola Dervishaj ka thënë se ky trajnim ka ndikuar mbi njohuritë e saj rreth dezinformimit dhe keqinformimit. Ajo gjithashtu ka hasur në lajmin se viti i ri shkollor do të fillojë më 9 shtator të këtij viti.
“Ky trajnim ka pasur efekt mbi njohuritë e mia rreth dezinformimit dhe keqinformimit që mes vete kanë edhe dallime dhe ngjashmëri. Duhet gjithmonë të hulumtojmë rreth tyre dhe nuk duhet lënë që ato të qarkullojnë rreth nesh. Ndikimi i lajmeve të rreme, është shumë i madh në gjeneratën tonë, për arsye se, jemi pre e tyre në çdo moment, sidomos në fushat sociale, kulturore, po ashtu edhe në aspektin emocional të gjeneratës tonë. Kam qenë pre e lajmeve të rreme në kohën e fundit, ku njëra nga to ka qenë startimi i vitit shkollorë se nuk ka qenë e saktë se kur do të fillojë më 2 shtator apo 9 shtator derisa është konstatuar me të vërtetë se mësimi fillon me 2 shtator”, ka thënë Dervishaj.
Ndërsa, nxënësi i klasës së tetë në shkollën fillore “Fan S. Noli” Anes Mededoviq, ka shtuar se këto lajme sjellin panik mes njerëzve dhe ndikime negative.
Lajmi i rremë që ai ka parë ishte se këtë vit mësimi do të mbahet vetëm katër ditë të javës.
“Dezinformatat janë lajme të rreme që përhapen nëpër botë dhe krijojnë panik në mesin e njerëzve dhe nuk janë të dobishme. Informatat e rreme nuk duhet të publikohen në media sepse mund të sjellin panik mes njerëzve dhe ndikime negative. Këtë vit shkollor do të shkohet vetëm katër ditë në javë në shkollë, por në fakt ishte një gënjeshtër”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Alisa Abazoviq nga e njëjta shkollë, ka theksuar se lajmet e rreme i bëjnë të ndihen të trishtuar ose të kenë emocione të këqija.
Edhe ajo kishte hasur në lajmin se viti shkollor fillon më 9 shtator.
“Dezinformatat janë diçka që nuk duhet të qarkullojnë nëpër botë, por për fat të keq po ndodhë në jetën e përditshme. Informatat e rreme në gjeneratën tonë ndikojnë shumë keq, disi na bën të ndihemi të trishtuar ose të kemi disa emocione të këqija që nuk duhet t'i kishim ose gjithashtu çon në ngjarje vdekjeprurëse gjithashtu në vrasjen e njerëzve të ndryshëm. Deri tani nuk kam përjetuar dezinformata përveç njërës, që ishte se në fillim të viti shkollor kishte dezinformata se viti shkollor do të fillojë më 9 shtator, por në fakt ka filluar më 2 shtator”, është shprehur Abazoviq.
E menaxheri i projektit, Fadil Miftari është shprehur se me këtë projekt kanë mbërri objektivat në mënyrën më të mirë të mundshme.
Sipas tij, secili nga nxënësit qw ka takuar, ka qenë një histori në vete duke dhënë ide të ndryshme. E në testet që kanë bërë në fund të trajnimit, pothuajse mbi 95 për qind secili ka qenë në gjendje që pas trajnimit ta identifikojë se cilët janë lajmet e treme dhe ato të vërteta.
Miftari ka theksuar se në të ardhmen mund të ketë një projekt të njëjtë.
“Vërtetë kemi mbërri objektivat në mënyrën më të mirë të mundshme të këtij projekti. Gjatë kësaj faze ne kemi takuar ndoshta më shumë se 800 nxënës të këtyre komuniteteve. Secili ka qenë histori në vete, ka dhënë ide dhe ka testuar dhe promovuar mënyrat me të mira të absorbimit të lajmeve të vërteta dhe shumica prej tyre besoj se kanë marrë atë çfarë projekti u ka ofruar. Të rinjtë e kësaj moshe kanë nevojë qe të vazhdohet sigurisht dhe të avancohet ky projekt me forma të tjera te trajnimeve. Do të shohim në të ardhmen se si do ta dizajnojmë programin dhe shpresoj se do të gjejmë mbështetje dhe të vazhdojmë këtë rrugëtim. Kemi bërë zakonisht edhe teste përfundimtare me ta dhe pothuajse mbi 95 për qind secili ka qenë në gjendje që pas trajnimit ta identifikojë se cilët janë lajmet e treme dhe ato të vërteta. Metodologjia e trajnimeve ka ndikuar qe në mënyrë shumë të shpejtë të rinjtë të dinë ta identifikojnë problemet të cilat hasin ata gjatë kohës se marrjes së informacioneve”, është shprehur Miftari.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.