Ndërhyrje heroike: Kosovari Sabit Rexhepi ia shpëton jetën një gjermani në Mindelheim
1-First
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ndërhyrje heroike: Kosovari Sabit Rexhepi ia shpëton jetën një gjermani në Mindelheim
mindleheimmmm
05/06/2026 - 16:59
Linku u kopjua

Kosovari nga Dumnica e Vushtrrisë, Sabit Rexhepi është shndërruar në një hero në republikën gjermane të Bavarisë, pasi me një akt të guximshëm, ku ka rrezikuar veten, ka kontribuuar në shpëtimin e jetës të një personi me aftësi të kufizuara në qytetin Mindelheim të rrethit Unterallgäu.

Ai, bashkë me një person tjetër, kanë parandaluar një zjarr të mundshëm në një banesë, që ishte shkaktuar nga ushqimi i lënë mbi sobë (shporet).

Sic merr vesh KosovaPress nga burime që janë në njohuri me ngjarjen, banorja e një apartamenti në Mindelheim ishte larguar për pak kohë nga banesa dhe pa dashje kishte mbetur jashtë, duke mos mundur të futej prapë në të. Në ndërkohë, nga shtëpia kishte nisur të dal tym.

Burimet i kanë thënë KosovaPress se gruaja, kur e ka hetuar tymin në shtëpinë e saj ka bërtitur “zjarr, zjarr”, duke kërkuar ndihmë.

Rexhepi, bashkë me kolegun e tij Ufuk Sisman – të dy punëtorë që po punonin në një kulm, i janë përgjigjur menjëherë apelit të së moshuarës, sapo e kanë dëgjuar atë.

Ajo u ka treguar atyre se brenda ndodhej bashkëshorti i saj me aftësi të kufizuara fizike, i cili nuk ka qenë në gjende ta hapte derën dhe të largohej vetë, kur banesën e kishte përfshirë tymi.

Ata e kanë hapur derën e apartamentit me një mjet për hapje me force, të cilën, si mëson KosovaPress, në komunikimin e ndërsjellë e quajnë “Albaner”. Më pas e kanë nxjerrë burrin jashtë banesës.

Ekipi i emergjencës që erdhi më pas në vendngjarje, konstatoi se ai nuk kishte lëndime të rënda.

Mediet në Bavari të Gjermanisë e quajtën këtë veprim të Rexhepit dhe kolegut të tij si veprim që ndoshta edhe e shpëtoi një jetë dhe një shtëpi nga djegia.

Po ashtu, nuk kanë munguar as komentet pozitive të njerëzve për veprimin e kosovarit dhe bashkëpunëtorit të tij.

“Këta janë njerëz që duket qartë se e njohin dhe e zotërojnë profesionin e tyre. Jo vetëm zanatin e kulmuesit, por edhe një mjeshtëri tjetër që shoqëria e shekullit XXI po e humb gjithnjë e më shumë: vëmendjen ndaj të tjerëve, kujdesin, humanizmin dhe mbi të gjitha ndjeshmërinë për atë që ndodh përreth”, ka shkruar një komentues me profilin Jan-Erik Ahlborn. “Dy njerëz që padyshim e pasurojnë shoqërinë. Faleminderit për angazhimin tuaj, faleminderit që jeni shembull për të tjerët!”.

Pa kontributin e emigrantëve, një qytetar me shumë gjasa nuk do t’ia dilte të mbijetonte”, ka shkruar një tjetër komentues, Hans Muster Man.

Rexhepi është një kosovar nga Dumnica e Vushtrrisë, që bashkë me familjen e tij jeton në rrethin e Mindelheim.  /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026