Shtesat prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos për përballje me inflacionin nuk janë ekzekutuar ende.
Llogari për këtë ka kërkuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi. Ai nga kryeministri në dëtyrë, Albin Kurti dhe ministri i Financave në dëtyrë, Hekuran Murati ka kërkuar të tregojnë se pse këto mjete po vonohen, raporton KosovaPress.
“Unë sot publikisht kam kërkuar, meqë unë jam në presion nga punëtorët të dinë se çfarë po ndodh, dhe publikisht kam kërkuar nga kryeministri i Kosovës dhe ministri i Financave, që është të dy në detyrë, që të dalin dhe ta shpjegojnë opinionit çka po ndodh me këto mjete dhe pse po vonohen. E thashë një krahasim që na është bërë, është bërë një diskriminim edhe me shumën, edhe me ndarjen, dhe çka po ndodh tek ne tani, pse nuk po ekzekutohen këto, këto po themi kështu një farë pune, kjo lloj lëmoshe”, tha Azemi.
Kryetari i kësaj sindikate theksoi se e kanë thënë edhe më herët se miratimi i kësaj pakoje është një “vendim puro politik”, duke potencuar sërish siç u shpreh ai, diskriminimin që iu është bërë atyre në çfarëdo forme.
“Po ne e kemi thënë këtë paraprakisht, se kjo është një vendim puro politik, por megjithatë, edhe nëse është puro politik, së paku zbatojeni atë që e keni thënë. Të them të drejtën, unë kam dyshimet e mia që ndoshta tani mund të ndodhë që zgjedhje do të kemi prapë dhe po t'i qesin këto para, pastaj ju duhen prapë para për zgjedhje të tjera dhe do të, do të mungojnë paratë. Por megjithatë, a priori nuk guxoj të them asgjë, por diçka duhet të them: neve na kanë diskriminuar në çfarëdo forme — në diskriminimin e shumës, në diskriminimin e kritereve që i kanë qitë për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, në diskriminimin për vonesën e këtyre, po them kështu, mjeteve simbolike”, përfundoi Azemi.