Skuadra e Malishevës ka arritur një sukses historik duke siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane për të tretën herë radhazi, por oreksi i tyre nuk përfundon me kaq.
Pavarësisht se e kanë të garantuar vendin e tretë në tabelë, trajneri Bylbyl Sokoli dhe futbollistët paralajmërojnë se nuk do të bëjnë asnjë lëshim në ndeshjen e ardhshme kundër Llapit, një përballje që mund të jetë fatale për llapjanët në luftën për mbijetesë.
“Kemi edhe dy xhiro, dy ndeshje të rëndësishme, për të cilat ne po vazhdojmë përgatitjet. Dhe pasi të përfundon kampionati, ne pastaj do t'i bëjmë analizat dhe të shohim sa kemi qenë të suksesshëm. Jemi të kënaqur me arritjen e synimit se Malisheva ka siguruar pjesëmarrjen në Evropë. Për të cilën gjë, thashë, janë më të merituar futbollistët...Të gjithë janë të merituar. Dhe pasi të përfundojnë këto dy xhiro, do të shohim sa kemi qenë të suksesshëm, sepse dy xhiro matematikisht kemi mundësi me lëvizur edhe për një pozitë më të lartë apo të mbesim këtu ku jemi. Dhe këto janë synimet tona. Pasi ta analizojmë kampionatin mund të themi sa kemi qenë të suksesshëm”, tha fillimisht Sokoli.
Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu, tha se skuadra do të udhëtojë drejt ndeshjes me Llapin me synimin për të marrë tri pikët.
“Normal, si çdo ndeshje ne shkojmë për fitore, si çdo lojë tjetër, e kemi dhënë maksimumin dhe besoj që kemi kualitet dhe do të dalim me fitore prej aty”, deklaroi Kryeziu.
Fati i Llapit mbetet tashmë në fije të perit, ndërsa Malisheva duket më e motivuar se kurrë për të mos bërë dhurata në xhirot e mbetura të Superligës, derisa kjo ndeshje zhvillohet të dielën.