Kulturë
Baritoni maqedonas vlerëson Operën e Kosovës: Ka nivel të lartë artistik, shpresoj të rikthehem
Baritoni maqedonas Darko Todorovski, i cili interpretoi rolin e Messer Amantio Di Nicolao në operën “Gianni Schicchi”, ka vlerësuar lartë nivelin artistik dhe organizimin e Operës së Kosovës, duke e cilësuar përvojën si një nder dhe kënaqësi të veçantë. Todorovski ka thënë për KosovaPress, tha se produksioni është realizuar me përkushtim, profesionalizëm dhe pasion nga i gjithë ekipi. “Ka qenë një kënaqësi e madhe dhe një nder i veçantë të jem pjesë e këtij produksioni të ‘Gianni Schicchi’ me Operën e Kosovës. Besoj se ky ka qenë një produksion i një niveli shumë të lartë artistik, i realizuar me përkushtim të jashtëzakonshëm, profesionalizëm dhe pasion të sinqertë nga të gjithë të përfshirët”, tha ai. Ai u shpreh i impresionuar edhe nga organizimi i institucionit, duke theksuar se artistëve u ishte krijuar një ambient ku mund të fokusoheshin plotësisht në interpretim. “Jam impresionuar vërtet nga niveli i lartë i organizimit të Operës së Kosovës. Çdo aspekt i këtij produksioni është menaxhuar me profesionalizëm dhe kujdes të madh, duke krijuar një mjedis ku artistët mund të përqendroheshin plotësisht te muzika dhe rrëfimi i historisë. Është frymëzuese të shohësh një përkushtim të tillë ndaj përsosmërisë artistike”, u shpreh Todorovski. Sipas tij, bashkëpunimi me solistët vendas, orkestrën, korin dhe ekipin krijues ishte një përvojë e jashtëzakonshme, ndërsa ai shpreson që në të ardhmen të rikthehet për bashkëpunime të reja me Operën e Kosovës. “Shpresoj sinqerisht që ky produksion të arrijë te sa më shumë publik dhe që në të ardhmen të kem mundësinë të rikthehem e të bashkëpunoj sërish me Operën e Kosovës”, përfundoi baritoni maqedonas. Pas premierës së mbajtur më 1 korrik, Opera e Kosovës do ta rikthejë sonte, më 3 korrik, në skenën e Sallës AMC në Prishtinë, nga ora 20:00, “Diptikun” e Giacomo Puccinit, të përbërë nga operat “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”.
Më shumë nga Kulturë
Total: 73
Faqe:
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026