Nga 1 qershori ka hyrë në fuqi vendimi i Administratës Tatimore e Kosovës që ndalon kryerjen e pagesave me para të gatshme mbi dy mijë euro ndërmjet bizneseve dhe individëve, duke obliguar realizimin e tyre përmes llogarive bankare ose formave elektronike të pagesës, raporton KosovaPress.
Kjo masë nga njohës së ekonomisë po konsiderohet e dobishme për rritjen e formalizimit të ekonomisë dhe luftimin e informalitetit.
“Ky është një mekanizëm ligjor që shteti të jep fuqi për të luftuar ose të rritë formalizimin e ekonomisë së vendit. Por, s'ka pasur një sensibilizim të opinionit, në të njëjtën kohë ka pasur një informim shumë të vonuar pas nxjerrjes së këtij vendimi, i cili e kishte datën 27 prill, ndërsa njoftimi është bërë para 4-5 dite, gjë që në njëfarë forme humb edhe seriozitetin e shtetit në këtë rast për ta shfrytëzuar këtë mekanizëm për të rritur formalizimin e ekonomisë së vendit. Duke ditur faktin këtu që shumë qytetarë pra janë plotësisht të painformuar për këtë rregull ose dispozitë juridike që i obligon që pagesat në vlerë mbi 2000 euro të bëhen përmes transaksioneve bankare apo mjeteve të tjera të pagesave që mund të jenë përmes postës apo diçka të ngjashme... Prapëseprapë, unë ndaj mendimin që ka mundur të përdoret shumë më mirë ky mekanizëm, të rrisë fuqizimin e përdorimit të këtij mekanizmi dhe në të njëjtën kohë realisht të luftohet fenomeni i informalitetit, i cili është prezent në vendin dhe ekonominë tonë”, tha ai.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve tatimore, Sakip Imeri ka vlerësuar se vendimi që pagesat mbi 2 mijë euro të realizohen përmes llogarive bankare është në përputhje me legjislacionin në fuqi.“Vendimi është në përputhje me ligjin. Ligji për administrimin e procedurave tatimore përcakton që edhe transaksionet e personave fizikë me bizneset që bëhen mbi vlerën 2000 euro duhet të bëhen përmes llogarisë bankare. Sigurisht, kjo masë do të ndikojë në formalizimin e mëtejshëm edhe eliminimin e parasë së gatshme në qarkullim. Në aspekt të formalizimit kjo është pozitive. Ndërsa, vështirësitë sigurisht se kanë me u shfaq pastaj te konsumatorët, të cilët kanë mundur të hyjnë në transaksione më herët me biznese dhe më herët është lejuar. Plus është ligji që ua lejon mundësinë edhe atyre prej botës së jashtme që vijnë, që deri në vlerën 10 mijë euro mund të kenë para të gatshme”, tha ai.
Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku e mirëpret vendimin për pagesat mbi 2 mijë euro përmes llogarive bankare, duke vlerësuar se ai synon të orientojë sa më shumë qarkullimin financiar në mënyrë të ligjshme dhe transparente.
ATK-ja nuk ka dhënë detaje për KosovaPress për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.
Sipas ATK-së, këto pagesa duhet të realizohen përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës. Madje, përmes njoftimit kërkon të respektohet kufizimi i përcaktuar me ligj për të shmangur gjobat. “Mos paguani cash mbi limitin e lejuar. Veproni sipas ligjit”, u pati thënë në njoftim.