Me rastin e fillimit të Javës së Dhurimit Vullnetar të Gjakut, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ka nisur aktivitetet ndërgjegjësuese në kuadër të kësaj fushate humanitare.
Kjo javë synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut, një akt human që shpëton jetë dhe ndihmon pacientët që kanë nevojë për transfuzione në të gjithë vendin.
Në kuadër të aktiviteteve, dhjetëra nëpunës të Ministrisë së Shëndetësisë iu janë bashkuar nismës duke dhuruar gjak vullnetarisht, me qëllim sigurimin e rezervave të nevojshme për institucionet shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut theksojnë se dhurimi vullnetar i gjakut mbetet burimi më i sigurt dhe më i qëndrueshëm për furnizimin e sistemit shëndetësor me gjak dhe produkte të gjakut.
MSH dhe QKTGj kanë bërë thirrje që edhe qytetarët t’i bashkohen kësaj nisme humanitare, duke theksuar se një dhurim i vetëm mund të shpëtojë disa jetë dhe të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në trajtimin e pacientëve në nevojë.