Fshati Kovragë e komunës së Istogut u godit dje nga breshri i madh, i cili dëmtoi kulturat bujqësore.
Xhevdet Gjoci, bujk nga ky fshat, tha se të gjitha të mbjellat i janë dëmtuar krejtësisht dhe asnjë gjë s’i ka shpëtuar.
“Jemi të dëmtuar totalisht, asnjë send nuk ka shpëtuar, as misër, as bostan, as pjepër, as speca, asgjë. Këtu jemi vetëm tek një pjesë ku kam pasur pjepra dhe speca, ndërsa fushat e tjera janë me gjëra të tjera që na i ka dëmtuar totalisht. Sikur këtë herë, në këto vjet të mia, nuk e mbaj mend që ka ndodhur të zgjas më shumë breshri, gjysmë ore me stuhi, erë të fortë, pak jemi frikësuar edhe për vete. Po shihet që çdo gjë është dëmtuar totalisht. Edhe më herët ka ndodhur të bie breshër, por diçka shpëtonte, çka ishte më rezistent shpëtonte, por sivjet as misër as asnjë send nuk ka shpëtuar këtu”, tha ai për KosovaPress.
Gjoci tregon se dëmet e shkaktuara nga breshri i djeshëm janë në vlerë 40 mijë eurove. Sipas tij, para dy vjetësh në të njëjtën sipërfaqe, fitimet e tij ishin 60 mijë euro.
“Vlera është vetëm investime, një hektar speca, mbi tre hektarë pjepra e bostan, vetëm investimi që e kemi bërë e kalon shifrën e 20 mijë eurove. Kemi llogaritur me këtë sasi që të dalim në minimum diku 40 mijë euro t’i fitoj me këtë pasuri. Ka qenë shumë prodhimi i mirë. Unë shkova në minimum, pasi parvjet në të njëjtën sipërfaqe e ka kaluar shumën prej 60 mijë euro që e kam fituar vetë. Shpesh i kam thënë edhe ministrisë, që ta mbrojë vetëm çmimin tonë, tregun tonë mbroje”, tha ai.
Gjatë ditës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, bashkë me kryetarin e Istogut, Ilir Feratin, vizituan bujqit, të cilët u prekën nga breshri i djeshëm që i shkatërroi kulturat bujqësore në këtë komunë.