Formimi i Xhandarmërisë së Kosovës duhet të shihet si një zhvillim me rëndësi të veçantë në fushën e sigurisë dhe si një mekanizëm profesional i mirëseardhur me një numër më të madh të pjesëtarëve të sigurisë që do të kujdesen për kufijtë e vendit.
Kështu thotë për KosovaPress ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, i cili u shpreh se xhandarmëria si mekanizëm i ri në vend do ta luftojë terrorizmin, kontrabandën dhe dukuritë e tjera negative, por edhe mbrojtjen e kufijve dhe tërësisë territoriale të Kosovës, sovranitetit të saj dhe do të ketë bashkëpunim me policinë dhe FSK-në, por s’do të përzihet në kompetencat e asnjërës.
“Do ta mbrojnë kufirin në veri, pjesën kah Serbia por edhe kufijtë anë e kënd Kosovës. Këtu shpesh paraqiten dilema në aspektin e tërësishëm të popullatës sepse në njërën anë parashihet aspekti pozitiv formimi i xhandarmërisë, kurse në anën tjetër paraqitet një skepticizëm te një pjesë e banorëve pasi ka frikë se mos merr kompetencat e sigurisë dhe në këtë mënyrë gradualisht të paraqitet si një formacion militarist që ka qëllim të caktuar, por kjo nuk qëndron sepse qëllimi i saj është mbrojtja e kufirit por edhe lufta kundër kontrabandës dhe formave të tjera të krimit të organizuar por pa ndërhyrë në kompetencat e policisë dhe ushtrisë”, tha Morina, raporton KosovaPress.
Për sa i përket elementeve që duhet t’i marrë Xhandarmëria e Kosovës, Morina tha se ajo duhet të ngërthej në vete elemente franceze, italiane dhe të xhandarmërive të tjera, teksa tha se në bazë të profesionalizmit të tyre, por edhe të policisë e ushtrisë, roli i mekanizmave ndërkombëtarë, në këtë rast të EULEX-it, do të zbehet.“Mendoj se mekanizmi i xhandarmërisë që formohet te ne duhet të jetë një mekanizëm që merr elemente franceze, italiane dhe xhandarmërive të tjera. Në bazë të profesionalizmit të vazhdueshëm të xhandarmërisë, por edhe të policisë dhe ushtrisë, roli i mekanizmave ndërkombëtarë do të shkojë hapë pas hapi duke u zbehur në aspektin që siguria e tërësishme e kufijve tanë të mbahet nga xhandarmëria, policia, ushtria jonë. Në këtë mënyrë, trupat do të zvogëlohen gradualisht në mënyrë që situata e sigurisë dhe e paqes në Ballkan por edhe në Kosovë të jetë e stabilizuar”, tha ai, raporton KosovaPress.
Për formimin e xhandarmërisë foli për KosovaPress edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, i cili tha se për formimin e këtij mekanizmi ekziston baza kushtetuese.
Ndërsa, për ish-deputeten e PDK-së dhe kryetaren e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu, krijimi i xhandarmërisë po shihet si propagandë elektorale e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ajo në një postim në rrjete sociale tha se pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po shitet edhe xhandarmëriasi sukses i madh.
Sot, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se ka nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.