Rritja e pandalshme e çmimeve të produkteve bazë po e thellon çdo ditë e më shumë krizën ekonomike për qytetarët e Kosovës. Të goditur me një inflacion prej 7.5 për qind që rëndon xhepat e tyre, disa prej banorëve deklarohen se e kanë të pamundur të mbyllin muajin pa u futur në borxhe, duke theksuar një mungesë të plotë të kontrollit të tregut nga ana e institucioneve shtetërore, raporton KosovaPress.
Qytetarët ankohen se mes pagave të vogla dhe çmimeve të larta, ata mezi po ia dalin për blerjet e produkteve ushqimore bazë.
“Jo veç këtë kohën e fundit, por për çdo ditë, thuajse në qoftë se po e shohim, minutë pas minuti çka po duan po rritin. Domethënë ky shtet kontrollë s'po ka fare, edhe atëherë këta çka po duan po bëjnë. A e din sa është e vështirë? Unë jam pensionist. Unë e kam pensionin e vogël... Unë nuk po e di deri kur do të shkojë kështu çmimet duke u ngritur këtu në Kosovë”, tha Sheremeti.
“Vallahi hiç, kurrqysh. Shumë jetë e vështirë. Unë për veti jam në asistencë sociale. Me 110 euro ndihmë, për 20 ditë ato s'dalin as barna, ujë e rrymë me pagua, po kështu, s'ke çka me bë….Po duhet me shkua me marrë në hua diku tjetër, për me krye muajin. Se s'po ka, pa punë”, tha Baruti.
Edhe Erdem Guler potencon se të ardhurat aktuale nuk mund të ia mbulojnë as shpenzimet për barna.
Qytetarët në vazhdimësi kanë pakënaqësi për rritjen e cmimeve dhe potencojnë faktin se e kanë të vështirë të ia dalin deri në fund të muajit.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bënë të ditur se shkalla vjetore e inflacionit në muajin prill 2026 ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.1 për qind.
Rritja më e madhe e çmimeve në baza vjetore është regjistruar te grupi i transportit me 16.1 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse me 15.2 për qind.
ASK-ja njofton se çmimet janë rritur edhe në sektorët e shëndetësisë me 4.7 për qind, kujdesit personal dhe shërbimeve të ndryshme me 3.6 për qind, si dhe veshjeve dhe këpucëve me 2.3 për qind.
Të premten, Qeveria në detyrë ka miratuar një pako të re për përballje me inflacionin, të cilën e ka quajtur “Inflacioni 2.0”, e cila ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët. Kjo mbështetje nga analistë të ekonomisë dhe parti opozitare deri më tani e kanë quajtur si ‘lëmosh” dhe në prag të zgjedhjeve.
