Kusari-Lila: Masa të reja tregtare ndaj Serbisë për mbrojtjen e prodhuesve vendore
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kusari-Lila: Masa të reja tregtare ndaj Serbisë për mbrojtjen e prodhuesve vendore
kusari 5.06.26
05/06/2026 - 14:18
Linku u kopjua

Vendimet për vendosjen e masave anti-dumping për Serbinë dhe për kufizimin sasior për importe janë prezantuar të premten nga ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila.

Në konferencën për media ajo tha se vendimet synojnë mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun e Kosovës, raporton KosovaPress.

“Me datën 4 qershor 2026, pra ditën e djeshme, kam marrë vendim për fillimin e hetimit zyrtar lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia. Ky vendim është rezultat i një ankese të paraqitur nga kompanitë prodhuese vendore të farës së grurit, të cilat kanë ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime dumping, duke dëmtuar prodhimin vendor. Për këtë arsye, në përputhje me legjislacionin në fuqi, është vendosur inicimi i hetimit zyrtar për të vlerësuar ekzistencën e praktikave të dumpingut dhe ndikimin e tyre në industrinë vendore... Nëse gjatë fazës së hetimit vërtetohen dyshimet për aplikimin e çmimeve dumping dhe dëmi i shkaktuar ndaj industrisë vendore, në përputhje me nenin 39 të ligjit për masat anti-dumping dhe masat kundërbalancuese, si ministre do të marr vendim për vendosjen e detyrimeve të përkohshme anti-dumping për mbrojtjen e prodhimit vendor. Sipas dispozitave ligjore, këto masa mund të vendosen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 9 muaj nga data e fillimit të hetimit”, tha ajo.

Kusari Lila shtoi se gjetjet e analizës tregojnë se ekzistojnë indikacione se importi i këtij produkti nga Serbia përmes shitjes me çmime dumping dhe në sasi të konsiderueshme, si dhe me cilësi të dyshuar.

Sipas saj këto po shkaktojnë dëme materiale ndaj industrisë vendore të prodhimit të farës së grurit në Kosovë.

Ajo tha se vendimi për vendosjen e kuotës sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, është me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e konkurrencës së barabartë në tregun e Kosovës.

Sipas Kusari Lila vendimi vjen pas masave kufizuese të vendosura nga Serbia ndaj produkteve kosovare të çelikut dhe materialeve ndërtimore, për të cilat Kosova ka kërkuar ndërhyrje përmes mekanizmave të CEFTA-s, por pa rezultat.

Ajo  tha se nga momenti i hyrjes në fuqi të vendimit deri më 31 dhjetor 2026, importi i lejuar brenda kuotës është i kufizuar në 637.26 ton, ndërsa çdo sasi që e tejkalon këtë prag do të ngarkohet me tarifë doganore prej 50%, duke theksuar gjithashtu se Dogana e Kosovës është e obliguar ta zbatojë këtë vendim.

Ndërkaq e pyetur për planin e ministrisë sa i përket rritjes së eksporteve në vendet e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera ajo tha se ministria po investon në zgjerimin e infrastrukturës industriale përmes krijimit të zonave të reja industriale në vend, përfshirë edhe katër komunat veriore.

Sipas saj, këto investime, së bashku me grantet për bizneset prodhuese, aftësimin profesional të të rinjve dhe zhvillimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, synojnë të rrisin prodhimin vendor dhe potencialin eksportues të Kosovës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026