Dogana e Kosovës ka zbuluar mbi 30 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli rutinor në Pikën Kufitare Bërnjak.
Në komunikatën për media thuhet se, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja, i cili po largohej nga territori i Kosovës.
Në çantën personale të udhëtarëve janë gjetur 25 mijë e 515 euro si dhe 565 mijë e 60 dinarë serbë, të cilat sipas kursit të këmbimit kanë një vlerë prej rreth 4 mijë e 813 eurosh, thuhet në komunikatë.
Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara arrin në 30 mijë e 328 euro, duke tejkaluar kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, mbi të cilin deklarimi pranë autoriteteve doganore është i detyrueshëm.Rasti është proceduar tek sektori kompetent i hetimeve, i cili do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e legjislacionit doganor dhe financiar, si dhe në luftimin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.