Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në Kosovë shënoi rritje vjetore prej 6.8 për qind në muajin maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në baza mujore u regjistrua rënie prej 0.4 për qind, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 14.1 për qind, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 13.2 për qind, si dhe pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5.6 për qind, raporton KosovaPress.
Në anën tjetër, ASK-ja bëri të ditur se ulje vjetore e çmimeve është evidentuar vetëm te shërbimet arsimore, me 0.6 për qind.
Sa i përket lëvizjes mujore të çmimeve, në maj 2026 IHÇK-ja ra me 0.4 për qind krahasuar me prillin.Ndërkohë, rritje mujore e çmimeve u regjistrua te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, si dhe te shëndetësia me nga 0.7 për qind, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0.6 për qind, informacioni dhe komunikimi me 0.3 për qind, veshja dhe këpucët me 0.3 për qind, si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 0.2 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së, norma vjetore e inflacionit mbetet në nivel të lartë, pavarësisht lehtësimit të presioneve të çmimeve në baza mujore.
