Rriten mbështetjet për fermerët, perimet dhe pemëtarinë përfitojnë 30% më shumë
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Rriten mbështetjet për fermerët, perimet dhe pemëtarinë përfitojnë 30% më shumë
bujqesia (1)
05/06/2026 - 18:31
Linku u kopjua

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, duke hapur rrugën për fillimin e procesit të mbështetjes së fermerëve përmes skemave të pagesave direkte për vitin e ardhshëm.

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë obligohet të hapë thirrjen për aplikim, ndërsa pagesat do të realizohen pas procesit të verifikimit dhe sipas afateve të përcaktuara në aktin nënligjor.

Udhëzimi Administrativ për vitin 2026 sjell rritje të konsiderueshme të subvencioneve për sektorët prioritarë të bujqësisë. Ndër ndryshimet kryesore është rritja prej 30 për qind e mbështetjes për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur dhe serra, si dhe për kulturat pemëtare.

Po ashtu, është paraparë rritje prej 20 për qind për pagesat e grurit me rendiment të lartë, sipërfaqet e mbjella me mjedra, patate dhe fasule, si dhe për mbështetjen e mëshqerrave për riprodhim dhe viçave për majmëri.

Sektori i vreshtarisë do të përfitojë rritje prej 10 për qind të subvencioneve, ndërsa fermerët e qumështit do të mbështeten me 7 centë për çdo litër qumësht të dorëzuar.

Paketa e re përfshin gjithashtu 100 euro shtesë për fermerët që kultivojnë hektarin e parë, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë e moshës 18 deri në 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.

Sipas ministrit Muja, kjo paketë synon të forcojë prodhimin vendor, të rrisë sigurinë ushqimore dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor në vend.

Ai theksoi se një nga risitë më të rëndësishme është konceptimi i udhëzimit si një kornizë afatgjatë, e harmonizuar me praktikat e Bashkimit Evropian, e cila do t’u mundësojë fermerëve planifikim më të mirë të prodhimit dhe investimeve në vitet e ardhshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026