MINTI nënshkruan marrëveshje prej 8.78 milionë frangash për transformimin e gjelbër të bizneseve
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
MINTI nënshkruan marrëveshje prej 8.78 milionë frangash për transformimin e gjelbër të bizneseve
720341463_1571404254345622_1597410230437736154_n
11/06/2026 - 14:11
Linku u kopjua

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, kanë nënshkruar marrëveshjen pesëvjeçare për zbatimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”.

Në komunikatën për media thuhet se marrëveshja është realizuar ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), dhe do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031.

“Përmes këtij projekti, me vlerë të përgjithshme prej 8.78 milionë frangash zvicerane, synohet mbështetja e tranzicionit të gjelbër të sektorit privat në Kosovë, me fokus në rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë klimatike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, thuhet në komunikatë.

Projekti, sipas komunikatës, do të kontribuojë në promovimin e teknologjive më të pastra, rritjen e efikasitetit të përdorimit të burimeve, adoptimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.

Po ashtu, bëhet e ditur se ministrja Kusari-Lila ka theksuar se transformimi i gjelbër i industrisë dhe ekonomisë është një nga prioritetet strategjike të ministrisë, duke shtuar se investimet në inovacion, teknologji të qëndrueshme dhe zhvillim të sektorit privat janë thelbësore për rritjen ekonomike afatgjatë të vendit.

“Projekti do të ndihmojë në fuqizimin e ndërmarrjeve vendore, promovimin e investimeve të gjelbra, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen më të madhe të kategorive të nënpërfaqësuara në zhvillimin ekonomik”, citohet të ketë thënë Kusari Lila, transmeton KosovaPress.

Me këtë rast, ministrja falënderoi Qeverinë e Zvicrës, SDC-në, SIDA-n dhe partnerët e tjerë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe besimin në potencialin zhvillimor dhe ekonomik të vendit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026