Sindikatat e RTK-së paralajmërojnë protesta nga e hëna nëse s’ka zgjidhje për pagat
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Sindikatat e RTK-së paralajmërojnë protesta nga e hëna nëse s’ka zgjidhje për pagat
Protesta rtk 09062026
09/06/2026 - 13:29
Linku u kopjua

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë protestuar të hënën para objektit të RTK-së, duke shprehur pakënaqësinë për mospagesën e plotë të pagave. Përfaqësuesit sindikalë kërkuan nga Bordi dhe Menaxhmenti që të sigurojnë menjëherë pagesën e plotë të pagave, ndërsa paralajmëruan vazhdimin e protestave dhe veprimeve të tjera sindikale nëse deri të premten nuk ofrohet një zgjidhje konkrete.

Në emër të tri sindikatave të RTK-së, Veton Rugova tha se protesta është organizuar për të mbrojtur dinjitetin e punëtorëve dhe të drejtën e tyre për paga të plota.

“Sot tri sindikatat e RTK-së janë bashkë për të protestuar për mospagesën e plotë të pagës nga RTK-ja. Kjo nuk është çështje e një grupi. Kjo është çështje e çdo punëtori që me mund dhe përkushtim ka dhënë kontributin e tij për këtë institucion. Ne sot jemi mbledhur këtu për të mbrojtur dinjitetin tonë si punëtorë.. Sot, pikërisht ata njerëz që kanë mbajtur RTK-në në këmbë, po përballen me pasiguri për pagat e tyre. Kjo është e padrejtë dhe e papranueshme. Pas çdo punëtori të RTK-së qëndron një familje. Paga nuk është luks. Paga është mjeti me të cilin mbajmë familjet tona dhe sigurojmë jetesën. Ne nuk kërkojmë privilegje. Nuk kërkojmë favore. Kërkojmë vetëm atë që na takon me ligj”, tha Rugova.

Ai theksoi se punëtorët nuk janë përgjegjës për krizën financiare në institucion dhe kërkoi llogaridhënie nga drejtuesit e RTK-së.

“Duhet të thuhet qartë: punëtorët nuk janë shkaktarë të kësaj krize. Ata nuk kanë menaxhuar financat, nuk kanë marrë vendime për buxhetin dhe nuk mund të paguajnë çmimin e gabimeve të të tjerëve. Prandaj, sot kërkojmë përgjegjësi nga ata që kanë pasur detyrimin ta drejtojnë dhe ta mbrojnë këtë institucion. Heshtja, vonesat dhe mungesa e veprimit nuk janë zgjidhje. Punëtorët meritojnë përgjigje dhe meritojnë paga. I bëjmë thirrje Bordit dhe Menaxhmentit që menjëherë të sigurojnë pagesën e plotë të pagave dhe të japin një përgjigje të qartë për punëtorët. Ne do të presim deri të premten për një reagim konkret dhe për zgjidhjen e kësaj situate.Por, le të jetë e qartë për të gjithë: nëse deri të premten nuk ka veprime konkrete nga Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së, atëherë nga e hëna do të vazhdojmë me protesta dhe veprime të tjera sindikale. Nuk do të ndalemi derisa të drejtat e punëtorëve të respektohen dhe derisa secili punëtor të marrë atë që i takon”, tha ai.

Mbështetje për protestën shprehu edhe kryetari i Asocacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i cili kritikoi menaxhimin e situatës dhe trajtimin e mediumit publik.

“Është për keqardhje që është hera e sata herë që brenda një kohe të shkurtër punonjësit e RTK-së mbesin pa paga apo me vonesë. Këtë e shohim si mungesë e përgjegjësisë së menaxhimit së RTK. E ftojmë bordin dhe menaxhmentin qe të bëjnë të gjitha përpjekjet që situata si kjo të mos përsëriten, që të kujdesen që të paguhen për punën që bëjnë dhe të jenë transparent me punëtorët qe këto kriza si kjo të shmangen. Të gjitha problemet e fundit të RTK-së lidhen me mënyrën se si Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti e ka trajtuar mediumin publik, me ndarjen të vetëm 8.9 milion euro nga thuajse 22 milion sa i takojnë. Kjo parti politike ka dashur që ta mbaje nën kontroll politik RTK-në dhe fatkeqësisht e ka arritur një masë të madhe ku së fundmi një pjesë e mirë, sidomos lajmeve qendrore janë shndërruar në elemente propaganduese për VV-në dhe RTK-në. I ftojmë kolegët e RTK në rast të presioneve që i dimë që ndodhin, politike brenda dhe do vazhdojmë t’i përkrahim deri në fund”, tha Rexha.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026