Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e “Vienna Economic Forum – Meet Kosovo in Vienna 2026”, që këtë vit mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe kancelarit të Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.
Në nisje të fjalës së tij, në sesionin hapës “Rruga e Kosovës drejt integrimit ekonomik dhe rritjes”, Kurti shprehu falënderime dhe mirënjohje për miqësinë e kahmotshme dhe mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës.
Ai përmendi disa prej kompanive me pronarë nga mërgata në Austri, të cilët janë kthyer për të investuar, e po ashtu kompani austriake që kanë investuar në Kosovë. Ndërsa falënderoi kompanitë vendore pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik të Vjenës.
“Kryeministri në detyrë Kurti foli për integrimin ekonomik si strategji për rritje dhe mënyrën se si mund të ndërtohen kushtet për integrim kuptimplotë. Ai theksoi se integrimi ekonomik nuk bëhet vetëm nëpërmjet deklaratave, por nëpërmjet infrastrukturës, energjisë, rrjeteve digjitale, tregtisë dhe investimeve.Krahas afrimit me tregun evropian nëpërmjet lëvizjes së lirë të mundësuar nga liberalizimi i vizave për Zonën Shengen, ai tha se Kosova është pjesë e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian dhe se po përgatitet që të bëhet pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e po ashtu e iniciativës “Roam Like at Home”, si veprime drejt integrimit në tregun evropian.
Në kontekst të masave për lehtësimin e integrimit ekonomik, Kurti foli për planet për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, për krijimin e rrjetit të brendshëm dhe për t’u lidhur me rajonin dhe Evropën.