Republika e Kosovës ka shënuar përparim të dukshëm në forcimin e ekosistemit të biznesit, harmonizimin e politikave me standardet evropiane dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për ndërmarrësinë dhe inovacionin. Kjo u konfirmua gjatë lansimit të raportit “SME Policy Index 2026: Western Balkans and Türkiye”.
Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Jeton Mehmeti, shkruan në Facebook se raporti pasqyron avancimin e Kosovës në zhvillimin e politikave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).
Sipas tij, raporti evidenton angazhimin institucional në përmirësimin e klimës së biznesit, avancimin e inovacionit dhe transformimit digjital, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, forcimin e konkurrueshmërisë së sektorit privat, si dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe OECD-së.
Mehmeti theksoi se gjetjet dhe rekomandimet e raportit do të shërbejnë si bazë për hartimin e reformave të ardhshme dhe për forcimin e mëtejshëm të mbështetjes ndaj bizneseve në Kosovë.