Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pas humbjestë Kombëtares së Kosovës ndaj asaj të Turqisë, duke shprehur krenarinë për lojtarët dhe besimin se ekipi do të rikthehet më i fortë.
Në një mesazh të publikuar, Ademi uroi “Gladiatorët dardanë” për përpjekjen dhe përkushtimin në fushë, edhe pse fati nuk ishte në anën e tyre dhe rezultati nuk ishte i dëshiruar. Ai theksoi se çdo sfidë i bën më të fortë dhe se edhe humbjet janë pjesë e rrugëtimit të ekipit, duke mos zbehur besimin dhe punën e bërë deri tani.
“Fati nuk ishte në anën tonë dhe, ndonëse nuk e merituam një rezultat të tillë, duhet të pranojmë se edhe humbjet janë pjesë e këtij rrugëtimi. Megjithatë, ato nuk e zbehin as punën dhe as besimin tonë në këtë ekip” – shkroi Ademi.
Ademi gjithashtu falënderoi tifozët “Dardanët”, qytetarët e Kosovës, si dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe diasporën për mbështetjen e pandalur.
“Faleminderit tifozëve “Dardanët”, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vëllezërve tanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, por edhe bashkëatdhetarëve tanë kudo që jetojnë e veprojnë, për mbështetjen e pandalur” – bëri të ditur Ademi.
Kosova pësoi humbje nga Turqia, me rezultat 1-0, në ndeshjen e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45.
KosovaPress