Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni të mbajtur një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it ndaj Turqisë, e cila përfundoi me rezultat 0:1.
Në fjalën e saj, Osmani theksoi se, pavarësisht humbjes dhe moskualifikimit në Kupën e Botës, Kombëtarja mbetet një ndër përfaqësimet më dinjitoze të shtetit në arenën ndërkombëtare. Ajo vlerësoi lart kontributin e futbollistëve, duke e cilësuar rrugëtimin e tyre si frymëzim për brezat e rinj dhe si pjesë të rëndësishme të historisë sportive të vendit.
Presidentja nënvizoi se kjo medalje jepet për përfaqësim dinjitoz, për krenarinë që i kanë sjellë vendit dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, duke shtuar se e ardhmja e ekipit është premtuese.
Në emër të komunitetit të futbollit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shprehu mirënjohje për këtë vlerësim institucional. Ai theksoi se, ndonëse Kombëtarja nuk arriti kualifikimin, mbështetja e shtetit dhe e qytetarëve mbetet thelbësore për zhvillimin e futbollit në vend.Ndërkohë, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, u shpreh krenar për përfaqësimin e vendit dhe falënderoi institucionet dhe tifozët për mbështetjen. Ai pranoi se humbja ishte një goditje e rëndë për skuadrën, por theksoi se ekipi ka potencial të madh dhe një të ardhme të ndritur.
“Fillimisht ju falënderoj për mikpritjen dhe që na nderuat me këtë medalje. Ne e kemi ditë edhe para ndeshjes sa është dëshira e madhe për gjithë popullin dhe gjithë shqiptarët anembanë botës. Edhe të them të drejtën, nuk kemi besuar se do të humbim. As biletën kthyese nuk e kam. Ka qenë një goditje e madhe për neve, edhe pse mendoj se nuk e merituam humbjen. Kemi luftuar shumë dhe kemi bërë çmos që ta bëjmë ëndrrën realitet. Në emër të ekipit, ju falënderoj nga zemra juve si Presidente, shtetin e Kosovës, popullin tonë, mediat dhe federatën” - deklaroi Muriqi.