Kombëtarja e Kosovës përjetoi një nga momentet më të forta emocionale në historinë e saj, duke mbetur shumë pranë një arritjeje që do të ndryshonte përgjithmonë rrugëtimin e futbollit kosovar. Pas ndeshjes dramatike dhe zhgënjimit të madh, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reflektuar mbi atë që ndodhi, duke vlerësuar sakrificën e ekipit, mbështetjen masive të tifozëve dhe duke dhënë mesazhe të qarta për të ardhmen. Ai ka folur për dhimbjen e momentit, realitetin e pritjeve, objektivat e radhës dhe nevojat urgjente të futbollit në vend.
Duke rikthyer vëmendjen te orët pas ndeshjes, Ademi përshkroi gjendjen emocionale të ekipit si të rëndë, duke theksuar se pavarësisht zhgënjimit, skuadra kishte dhënë maksimumin në fushë. Ai vlerësoi angazhimin e lojtarëve, punën e stafit teknik dhe sidomos përkrahjen e jashtëzakonshme të tifozëve nga të gjitha trojet, të cilët sipas tij i dhanë ekipit energji shtesë në një ndeshje kaq vendimtare.
Duke folur për pritjet dhe objektivat që nuk u realizuan, i pari i FFK-së pranoi se ëndrra ishte shumë afër, por mungoi fati në momentet vendimtare. Ai nënvizoi se Kosova duhet të mbetet realiste, duke kujtuar rrugëtimin relativisht të shkurtër në arenën ndërkombëtare që nga pranimi në organizatat më të mëdha të futbollit. Sipas tij, pavarësisht zhgënjimit, arritjet e deritanishme janë dëshmi e progresit të madh dhe një bazë e fortë për të synuar kualifikimet e ardhshme, përfshirë Kampionatin Evropian.
“Aq ishte ëndrra jonë dhe sigurisht që ne do të vazhdojmë. Nuk kemi pasur fat mbrëmë. Ne do të vazhdojmë, përgatitemi menjëherë që nga sot për pjesën tjetër të lojës që kemi, që do të thotë kemi Evropianin tashmë i cili po na vjen. Sigurisht që pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha, por duhet me qenë realist, duhet ta njohim veten dhe me ditë kush je dhe për sa kohë na kemi arritur, kemi filluar këtë veprimtari, pavarësisht që ne kemi historinë e futbollit por nuk na njihet neve historia e futbollit, po flas për kohën prej 2016-ës kur ne jemi pranuar. Dhe sigurisht për kaq vite nuk është e rastësishme që jemi quajtur nga FIFA vetë histori suksesi dhe nga UEFA për faktin që ku kemi qenë e ku kemi arritur, por na dhimbset sepse kemi ardhur deri aty ku na ka munguar vetëm pak, një gjysmë hapi për të shkuar. Më shumë e kam për ekipin, më shumë e kam për popullatën dhe për rastin që e kemi pasur të jemi në Amerikë, do të kishte qenë edhe një mesazh jashtëzakonisht i mirë edhe për shtetin, jo vetëm për futbollin”, shtoi tutje i pari i FFK-s.“Mesazhi im për ta është që të vazhdojmë sepse vërtet janë krenaria e këtij populli, gjë që po dëshmohet sepse sot e morëm medaljen presidenciale shtetërore e cila nuk është medalja e Kupës së Botës, por është medalja me të cilën i kemi fituar zemrat e popullit. Kjo është e vlefshme për ne jashtëzakonisht shumë. E vlerësojmë këtë medalje për faktin se kjo vjen në emër të shtetit, në emër të gjithë popullit dhe sigurisht që kjo shtytje është një satisfaksion për neve që të vazhdojmë prapë. Besoj që shumë shpejt, ose në kompeticionet e ardhshme, duke e pasur parasysh talentin dhe mbështetjen e këtyre djemve, sigurisht që do të kemi rezultate. Nuk po premtoj, por shumë shpresoj dhe besoj se nëse jemi kështu kompakt dhe me këtë ekip, do të jemi në Evropianin e ardhshëm 2028”, deklaroi Ademi.
Një tjetër çështje që Ademi e ngriti me theks të veçantë ishte infrastruktura, duke e cilësuar ndërtimin e një stadiumi të ri si urgjencë kombëtare. Ai theksoi interesimin e jashtëzakonshëm të tifozëve për ndeshje, ku kërkesat për bileta kanë tejkaluar shumëfish kapacitetin aktual, duke lënë mijëra tifozë jashtë stadiumit. Sipas tij, një impiant i ri është i domosdoshëm për të përmbushur standardet dhe për t’i dhënë hapësirë mbështetjes masive që gëzon kombëtarja.
“E tha edhe vetë ai, sigurisht që Foda do të vazhdojë për faktin që ne kemi një projekt. Ne nuk e kemi futbollin vetëm si lojë, po dikush e mendon si lojë, por ne e kemi projekt sepse në futboll besoni që ka gjithçka, ka shkencë, ka matematikë, ka gjithçka nëse e shohim futbollin tamam qysh është i krijuar. Prandaj Franco Foda është pjesë e këtij projekti që nga fillimi bashkarisht dhe sigurisht po e vazhdojmë projektin. Meqenëse ka pasur oferta edhe më herët dhe nuk ka shkuar, e deklaroi edhe sot. Përveç kësaj që e ka një projekt, ai do të rrijë në Kosovë, do të vazhdojë në Kosovë sepse i pëlqen vendi dhe i pëlqejnë njerëzit”, tha në fund Ademi.