Mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi po vazhdon ta kontestojë ligjshmërinë e dorëzimit të provave nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kryembrojtësi, avokati Lluka Mishetiq sërish në kundërpërgjigjen ndaj ZPS-së, ka kërkuar që kjo e fundit të ndalojë dorëzimin e provave pas mbylljes së çështjes kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Fillimisht, me datën 13 mars kishte kërkuar nga trupi gjykues që të urdhërojë Prokurorinë për mos paraqitje të provave.
ZPS ka thënë se zbulimet në fjalë i plotësojnë të gjitha kriteret dhe “nuk përbëjnë paraqitjen e ‘parashtresave’ apo ‘paraqitjen e provave’.
“Kërkesa e Mbrojtjes së Thaçit për një urdhër ndaj ZPS-së në bazë të Rregullës 136 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe shpërfill zbatimin e Rregullës 112 dhe jurisprudencën e Dhomave të Specializuara lidhur me të. Përmbushja nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e detyrimeve të saj të vazhdueshme të zbulimit të provave, në përputhje me kornizën e aplikueshme, nuk përbën paraqitje provash, apo paraqitje të parashtresave, në kuptimin e Rregullës 136. Kërkesa duhet të refuzohet në përputhje me këtë”, thuhet në këto parashtrime.“Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (Mbrojtja) me këtë i përgjigjet Parashtrimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me Kërkesën e Mbrojtjes për një Urdhër në bazë të Rregullës 136 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës Qëndrimi i ZPS-së bazohet në një interpretim të gabuar të Rregullave 112 dhe 136, i cili, nëse lihet i pandryshuar, do të lejonte një shkelje të vazhdueshme të të drejtës themelore të z. Thaçi për një gjykim të drejtë”, thuhet në përgjigjen e mbrojtjes Lluka Mishetiq.
Avokati kryesor i ish-presidentit, Hashim Thaçi, përmes parashtrimeve të tij shpreh shqetësimin se paraqitja e njëanshme e provave nga ZPS-ja nuk garanton proces të drejtë.
Por, çfarë thotë Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, saktësisht rregulla 136?
Ky debat vjen pas mbylljes së kësaj çështjeje ndaj katërshes së UÇK-së dhe kur ky rast tanimë është në duart e gjykatësve për vendim.
Më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara kanë nisur fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, me pretendimet për krime lufte.