Stabilitet institucional përmes zgjedhjes së presidentit u kërkua në Komisionin parlamentar për integrime evropiane para thirrjes për diskutim të ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian për rrugën evropiane të Kosovës.
Në diskutimin që ky komision bëri të mërkurën për planin e punës, u tha se ka shqetësim mes deputetëve se sa do të jetë jetëgjatësia e legjislaturës së dhjetë pas mospajtimeve të partive politike për ta zgjedhur presidentin. Pasi kanë mbetur edhe 27-të ditë afat kushtetues për ta zgjedhur të parin e vendit, deputetët, anëtarë të këtij komisioni, thanë se shpresojnë që të gjendet një zgjidhje për kryetarin e shtetit.
“Ambasadorët i thërrasim pasi të zgjedhim presidentin. Për besë nuk e besoj as që na vizitojnë. Çështja e stabilitetit institucional është gati kusht për secilin hap në integrim evropian. Unë po shpresoj shumë që ne kemi arritur me zgjedh... Është prioritet mbi prioritete, pasi ne kur po e planifikojmë punën, asnjëri nuk po jemi të sigurt, pasi po e dimë ngërçin që ka ndodhur muajin e kaluar dhe po e dimë që Kuvendi i Kosovës s’ka qenë aktiv prej dhjetorit të vitit 2024. Ky është një lloj shqetësimi, pasi nëse s’kemi hapa konkretë, sa do të jetë jetëgjatësia e kësaj legjislature? Unë kam frikë që duket joserioze edhe ftesa nga ana jonë”, tha ajo.
Duke iu kundërpërgjigjur deputetes së mazhorancës, Hykmete Bajrami fillimisht tha se po shpreson që të gjithë deputetët të bëjnë një zgjidhje për presidentin, e më pas e ndryshoi deklarimin e saj duke iu drejtuar deputetes së LVV-së me fjalët: po shpresoj që keni me mundur me bo ndonjë zgjidhje.
“Po shpresojmë që kemi me mujt me bo ndonjë zgjidhje. Keni me mujt me bo ndonjë zgjidhje. Së bashku”, theksoi ajo.
Kërkesë të ngjashme parashtroi edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila e konsideroi të nevojshme transparencën në këtë proces.
Pas këtij diskutimi, deputetët miratuan agjendën e punës së këtij komisioni.