Mijëra adhurues të rock-ut ishin në mbrëmjen e dytë të edicionit të katërt të "Rock & Blues Music Festival", ku bendi Led Zeppelin 2 ndezi skenën, e kulmi i atmosferës ishte edhe me performancat e bendit Kolpa, BB Poqi, Hawolf dhe Dolduzgin Band.
Drejtori i “Rock & Blues Music Festival”, Hekuran Gashi është shprehur i kënaqur me atmosferën dhe pjesëmarrjen e publikut në edicionin e katërt të festivalit.
Ai ka folur për organizimin e festivalit, programin e natës së dytë, si dhe rëndësinë që ky festival ka në pasurimin e jetës kulturore të Prizrenit dhe promovimin e muzikës rock dhe blues.
“Nata e parë na shkoi pak ters për shkak të disa vonesave që i patëm në anën teknike, por ajo që ndodhi me publikun ishte e jashtëzakonshme. Sot jemi 100 për qind gati dhe i bëj thirrje të gjithë atyre që kanë pasur ndonjë hatërmbetje për shkak të gabimeve tona të vogla të jenë pjesë e festivalit sonte, sepse jemi shumë të lumtur t’i presim. Risia e këtij festivali është ‘Sunset Stage’, skena e dytë që e kemi krijuar për t’u dhënë hapësirë bendeve që kanë krijimtari të vetën, por nuk e kanë popullaritetin që e meritojnë. Jemi shumë të kënaqur që po mund t’i promovojmë këto bende.”, tha ai.
Ndërkaq, këngëtari i grupit BB Poqi, Bajram Bylykbashi, tha për KosovaPress, se është ndarë i kënaqur me atmosferën dhe organizimin e festivalit, duke vlerësuar pjesëmarrjen e madhe të publikut, veçanërisht të të rinjve.
“Publiku ka qenë në numër të madh dhe adhurues të muzikës rock, sidomos gjeneratat e reja. Jam shumë, shumë i kënaqur. Organizimi është në nivel shumë të lartë, mund të them nivel botëror. Gjithçka ka shkuar në rregull, nga skena te mikpritja e Prizrenit”, tha ai.
Bylykbashi foli edhe për planet e tij artistike, duke bërë të ditur se është në përgatitje të albumit të gjashtë.
“Albumi i gjashtë do t’i ketë së paku 10 këngë të reja, me një kujdes të posaçëm për tekstet dhe muzikën, si dhe me pjesëmarrjen e disa muzikantëve të njohur shqiptarë. Besoj se ky album do t’i motivojë edhe bendet e reja të incizojnë albume të reja dhe të rinjtë të përfshihen më shumë në muzikën rock”, u shpreh Bylykbashi.
Në skenën kryesore, publiku pati mundësinë të ndjekë performancat e bendit Kolpa, grupit Led Zeppelin 2 dhe BB Poqi. Ndërkohë, në “Sunset Stage” performuan Hawolf dhe Dolduzgin Band, duke sjellë një program të larmishëm për adhuruesit e muzikës rock dhe blues.
Festivali do të vazhdojë edhe sot me natën përmbyllëse, ku publikut do t’i ofrohet një tjetër program me performanca të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.