Promovohet libri i prof. asoc. dr. Ethem Çekut: “Lëvizja shqiptare për pavarësi: Politika, kryengritjet dhe diplomacia, 1908–1912”
Instituti i Historisë organizoi promovimin e veprës më të re të prof. asoc. dr. Ethem Çekut, “Lëvizja shqiptare për pavarësi: Politika, kryengritjet dhe diplomacia, 1908–1912”.
Në emër të Kryesisë së Akademisë përshëndeti akademiku Gëzim Hoxha, i cili e cilësoi librin si një kontribut të veçantë për historiografinë shqiptare. Ai u shpreh se, vlera e veçantë e veprës qëndron në trajtimin e nacionalizmit shqiptar jo thjesht si një ide abstrakte, por si një proces të gjallë politik, kulturor dhe diplomatik, që u shfaq në mënyrë të plotë gjatë viteve 1908–1912.
Akademik Pëllumb Xhufi e vlerësoi monografinë e Ethem Çekut për sintetizimin e plotë të procesit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vitet 1908–1912. Sipas tij, autori ka kapërcyer trajtimet e fragmentuara të mëparshme, duke e paraqitur këtë periudhë si një tërësi politike, kulturore, ideologjike dhe diplomatike, ku kryengritjet, figurat dhe idetë kombëtare ndërthuren në një proces që kulmoi me shpalljen e Pavarësisë.Gjithashtu, akad. Hamit Kaba e cilësoi veprën e prof. asoc. Ethem Çekut si një monografi të mirëstrukturuar dhe të konceptuar me kujdes, që sjell një qasje kritike ndaj procesit të shtetformimit shqiptar.
Në mbyllje të ligjëratave, prof. asoc. dr. Ethem Çeku falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mbështetjen institucionale dhe recensentët për vlerësimet e tyre shkencore. Ai theksoi se periudha 1908–1912 përbën etapën vendimtare të formimit të shtetit shqiptar, kur, përmes kryengritjeve, organizimit politik dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, shqiptarët realizuan përpjekjen më të rëndësishme për çlirimin dhe shtetformimin e tyre, raporton ATSH.