Ekspozita fotografike “Shards of the Heart” është hapur në “Europe House” në Prishtinë, duke sjellë rrëfime personale për migrimin, integrimin dhe ndjenjën e përkatësisë përmes historive të njerëzve që kanë rindërtuar jetën e tyre në Kosovë.
E realizuar nga fotografja ukrainase Tamila Lissner, ekspozita trajton migrimin, kujtesën dhe kuptimin e shtëpisë përmes portreteve dhe dëshmive personale, duke ftuar vizitorët të reflektojnë mbi qëndrueshmërinë dhe përvojat e njerëzve që janë detyruar të nisin një jetë të re larg vendlindjes.
“Migrimi nuk është thjesht lëvizje nga një vend në tjetrin. Është një jetë e ndarë në ‘para’ dhe ‘pas’,” u shpreh ajo, duke shtuar se fotografia e ka ndihmuar të njohë më mirë Kosovën dhe njerëzit e saj.
Një nga rrëfimet e ekspozitës është ai i Maysoon nga Siria, e cila kujton vështirësitë e ditëve të para në Kosovë.Edhe Valentina nga Moldavia, e cila jeton në Kosovë prej tre vitesh, tha se mësimi i gjuhës shqipe dhe komunikimi i përditshëm me qytetarët e kanë ndihmuar të integrohet.
“Përshtatja nuk ishte e lehtë. Kurset e gjuhës dhe bisedat e përditshme me shqiptarët më ndihmuan. Edhe puna ime me njerëzit më ndihmoi ta kuptoj kulturën. Tani kuptoj rreth 60 për qind të gjuhës shqipe,” tha ajo.
Drejtoresha e Jesuit Refugee Service – JRS Kosovo, Orjana Shabani, tha se projekte të tilla krijojnë hapësira ku njerëzit mund të ndajnë përvojat e tyre në mënyrë dinjitoze.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, e cila theksoi se Kosova, si një shoqëri që ka përjetuar migrim dhe zhvendosje, i kupton këto përvoja dhe mirëpret njerëzit që kanë gjetur në vend një shtëpi të dytë.
Ekspozita është organizuar nga HeartHome International Community, Jesuit Refugee Service – JRS Kosovo dhe Ukrainian Kosovo Association “Bridges of Friendship”, ndërsa do të qëndrojë e hapur në Europe House deri më 7 korrik 2026, çdo ditë nga ora 09:00 deri në 18:00.
