Baritoni maqedonas Darko Todorovski, i cili interpretoi rolin e Messer Amantio Di Nicolao në operën “Gianni Schicchi”, ka vlerësuar lartë nivelin artistik dhe organizimin e Operës së Kosovës, duke e cilësuar përvojën si një nder dhe kënaqësi të veçantë.
Todorovski ka thënë për KosovaPress, tha se produksioni është realizuar me përkushtim, profesionalizëm dhe pasion nga i gjithë ekipi.
Ai u shpreh i impresionuar edhe nga organizimi i institucionit, duke theksuar se artistëve u ishte krijuar një ambient ku mund të fokusoheshin plotësisht në interpretim.
“Jam impresionuar vërtet nga niveli i lartë i organizimit të Operës së Kosovës. Çdo aspekt i këtij produksioni është menaxhuar me profesionalizëm dhe kujdes të madh, duke krijuar një mjedis ku artistët mund të përqendroheshin plotësisht te muzika dhe rrëfimi i historisë. Është frymëzuese të shohësh një përkushtim të tillë ndaj përsosmërisë artistike”, u shpreh Todorovski.“Shpresoj sinqerisht që ky produksion të arrijë te sa më shumë publik dhe që në të ardhmen të kem mundësinë të rikthehem e të bashkëpunoj sërish me Operën e Kosovës”, përfundoi baritoni maqedonas.
Pas premierës së mbajtur më 1 korrik, Opera e Kosovës do ta rikthejë sonte, më 3 korrik, në skenën e Sallës AMC në Prishtinë, nga ora 20:00, “Diptikun” e Giacomo Puccinit, të përbërë nga operat “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”.