Prizreni do të mirëpresë nga sonte adhuruesit e muzikës rock dhe blues, me nisjen e edicionit të katërt të "Rock & Blues Music Festival", i cili do të mbahet nga 3 deri më 5 korrik përballë Palestrës Sportive "Sezai Surroi".
Festivali do të sjellë përgjatë tri netëve 15 bende dhe artistë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të performojnë në dy skena, "Main Stage" dhe "Sunset Stage". Programi i çdo mbrëmjeje nis në ora 18:30, ndërsa hyrja është falas për të gjithë vizitorët.
Më 4 korrik, publiku do të ketë mundësi të shijojë performancat e Kolpa, Led Zeppelin 2 dhe BB Pool në "Main Stage", si dhe Hawolf dhe Dolduzgin Band në "Sunset Stage". Kjo natë përkon edhe me Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Edicioni i sivjetmë do të përmbyllet më 5 korrik me performancat e Dire Straits Legacy, Telex dhe Beska & All Stars Band në skenën kryesore, ndërsa Urban Band & Flavia Zare dhe Dhjetori do të performojnë në "Sunset Stage".Organizatorët kanë ftuar qytetarët dhe vizitorët që t'i bashkohen festivalit treditor, i cili edhe këtë vit premton atmosferë unike dhe performanca të nivelit të lartë.
KosovaPress do ta mbulojë festivalin gjatë tri netëve duke sjellë intervistat dhe storie që tregojnë detaje për organizimin dhe atmosferën që do të jetë.
