Rajoni
Ali Ahmeti: Gjuha shqipe nuk negociohet, cenimi i saj rrezikon Maqedoninë
Statusi i shqipes, si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe “çdo përpjekje për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë, përbën cenim të rendit kushtetues dhe të ardhmes së vendit”. Ky është thelbi i një letre publike që kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka shkruar sot, transmeton KosovaPress. Ai ka thënë se barazia dhe respekti ndërmjet komuniteteve janë themeli i një shteti të qëndrueshëm ndërsa ka shtuar se “gjuha shqipe është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe e lidhur drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Ohrit” ndërsa këtë ujdi e quan bazë të funksionimit të Maqedonisë së Veriut. “Kthim pas nuk ka! Të drejtat e fituara nuk negociohen dhe nuk zhbëhen. Çdo tentativë për të kufizuar zbatimin e gjuhës shqipe është regres i rrezikshëm. Dhe ata që sot flasin për kufizime duhet ta dinë se po hapin plagë që ky vend i ka mbyllur me shumë sakrifica. Me këto çështje nuk luhet”, ka shkruar ai, përcjellë KosovaPress. Në këtë letër, kryetari i BDI-së vlerëson se barazia gjuhësore ka forcuar shtetin dhe bashkëjetesën ndëretnike, duke theksuar se shqiptarët nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën dhe identitetin maqedonas, por kanë kontribuar për një shtet të përbashkët dhe euroatlantik. “Unë nuk dua që askush në këtë vend të ndihet i kërcënuar nga barazia. As maqedonasi nga të drejtat e shqiptarit, as shqiptari nga institucionet e shtetit. Ky është kuptimi i vërtetë i bashkëjetesës: të jetojmë me ndjenjën se shteti është i të gjithëve dhe se askush nuk duhet të kërkojë respekt si favor, por ta gëzojë atë si të drejtë”, ka thënë Ahmeti. Ai shpreh shqetësim për qasje të caktuara institucionale, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar se në çështje të ndjeshme nuk duhet të dominojnë qasje etnike, por standarde profesionale dhe të bazuara në aktin më të lart juridik të shtetit. Ahmeti thekson se institucionet shtetërore duhet të jenë garantuese të barazisë dhe jo hapësira ku ajo vihet në pikëpyetje. “Unë besoj në një Maqedoni që ecën përpara, jo pas. Në një shtet që nuk i frikësohet barazisë, por e sheh atë si vlerën e vet më të madhe demokratike. Në një shoqëri ku askush nuk trajtohet si qytetar i dorës së dytë dhe ku gjuha shqipe mbetet ajo që është: pjesë e rendit kushtetues, pjesë e barazisë dhe pjesë e pandashme e të ardhmes evropiane të vendit”, ka shkruar ai. Duke iu referuar edhe vlerësimeve ndërkombëtare, ai shton se Komisioni i Venedikut nuk e ka kontestuar ligjin për përdorimin e gjuhëve, por vetëm ka theksuar nevojën për përmirësim të kapaciteteve dhe zbatimit praktik. Kreu i BDI-së apelon për përgjegjësi politike dhe institucionale, duke theksuar se të drejtat e fituara nuk mund të negociohen apo të reduktohen. Sipas tij, çdo tentativë për kufizimin e gjuhës shqipe përbën regres dhe rrezikon stabilitetin e vendit. “Unë e kam thënë qartë: ne nuk kërkojmë më shumë se sa na takon, por nuk do të pranojmë as më pak. Barazia nuk është opsion, është detyrim. Sot problemi nuk është ligji, por mungesa e vullnetit për ta zbatuar atë. Ligjet nuk zbatohen vetë, zbatohen nga institucione dhe nga njerëz që duhet të mbajnë përgjegjësi. Askush nuk ka të drejtë të bllokojë apo të injorojë zbatimin e një të drejte kushtetuese. Kjo nuk është vetëm shkelje ligjore, është shkelje e besimit të qytetarëve”, thuhet në letrën e liderit të BDI-së Në fund, Ahmeti shkruan se nuk ka të ardhme pa barazi në Maqedoninë e Veriut dhe se nuk ka dinjitet pa shqipen si gjuhë zyrtare në këtë shtet. /KosovaPress/
Më shumë nga Rajoni
Total: 203
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026