Sot u zhvillua në Tiranë Forumi Ekonomik Shqipëri – Kosovë, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Me këtë rast u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes AIDA dhe Odës Ekonomike të Kosovës, i cili synon të krijojë një urë të qartë dhe funksionale për bizneset, duke lehtësuar bashkëpunimin dhe eliminimin e barrierave.
“Ky forum shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive konkrete për bizneset e të dy vendeve”, thuhet në njoftimin për media, transmeton KosovaPress.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vuri në dukje se lidhjet ekonomike të forta janë baza për zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa Zëvendësministrja Blerta Rama prezantoi mundësitë konkrete që Shqipëria ofron për investitorët nga Kosova.