Komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos tha se hyrja e një vendi në Shengen ose në tregun e përbashkët të BE-së, të cilën kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq thanë se e dëshirojnë, kërkon reforma po aq të vështira sa ato për anëtarësim në BE.
Në një tekst autorial të botuar së fundmi për gazetën gjermane FAZ, Rama dhe Vuçiç u ankuan për ritmin e ngadaltë të përpjekjeve për të realizuar përfitimet e një lidhjeje më të ngushtë me BE-në, të cilën ata ia atribuan "reformave të brendshme, tensioneve gjeopolitike, kufizimeve institucionale dhe frikës legjitime të anëtarëve".
Kos e hodhi poshtë ftesën e Vuçiqit dhe Rames dhe tha se nuk është e sigurt nëse udhëheqësit "e dinë se sa shumë duhet të arrijnë për të qenë pjesë e Shengenit ose tregut të përbashkët", duke shtuar se reformat për integrimin ekonomik me BE-në janë po aq të vështira sa për t'u bashkuar me BE.
Duke folur dje në samitin e Politico-s për Evropën Konkurruese, Komisionerja Evropiane tha gjithashtu se aspirata e Ukrainës për t'u anëtarësuar në BE në vitin 2027 do të ishte "e pamundur" dhe se Islanda mund të jetë një "rast i veçantë" dhe "të kalojë shpejt" nëse qytetarët e atij vendi vendosin të rihapin negociatat me BE-në në një referendum në verë mes pasigurisë gjeopolitike dhe tensioneve me SHBA-në.
Komisionerja Evropiane tha gjithashtu se BE-ja duhet të ndryshojë rregullat në mënyrë që të zgjerohet dhe u bëri thirrje kryeqyteteve të paraqesin planet e tyre pasi refuzuan propozimet e Komisionit për të formësuar procesin e zgjerimit, raportoi Politico.
Ajo kujtoi se Komisioni Evropian paraqiti tre opsione dhe theksoi se pa vendimin e anëtarëve, nuk mund të ecim përpara.
"Nga shkëmbimi i parë i mendimeve me anëtarët, është e qartë se opsioni i tretë nuk është i duhuri... do të ishte një revolucion", tha Kos, duke shtuar se "numri një, status quo-ja, gjithashtu nuk është një opsion".
Meqenëse opsioni i dytë shihet si më i mundshmi, Komisionerja Evropiane Sllovene tha se tani po diskutojnë drejtimin në të cilin do të ndryshohej sistemi aktual, "si mund ta përshpejtojmë procesin në aspektin e integrimit gradual".