Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me asamblenë e Partisë Socialiste, në Njësinë 4 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij Rama, deklaroi se qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të ndërhyrë në tregun e naftës përmes një kompanie publike, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e transparencës.
Sipas tij, rritja e çmimeve të naftës lidhet si me krizën ndërkombëtare, ashtu edhe me problematika të brendshme të tregut, përfshirë informalitetin dhe mungesën e kontrollit të plotë mbi qarkullimin e karburanteve, shkruan ATSh.
“Ne sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por që është një problem edhe përtej krizës, që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin. Ajo kriza e shkaktuar atje në ngushticën e Hormuzit dhe gjithë kjo që po ndodh, e ka rritur çmimin gjithandej, e ka çuar në stratosferë, sidomos në ca vende. Ne do të hyjmë në tregun e naftës me një faktor publik, me një faktor shtetëror, me një kompani publike dhe pse do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike në atë kohë, se s’kishte luftë në atë kohë, pra nuk kishte lidhje me luftën”, tha Rama.Rama u ndal edhe tek koncesioni i markimit të naftës. “Ne u përpoqëm ta rregullojmë sa të mundeshim, po ishte bojë që hollohej kollaj apo sajohej kollaj”, theksoi Rama.
Sipas tij, “me kompaninë publike që kemi krijuar me të njëjtën kompani që ka shteti në Emiratet e Bashkuara, ne do të nxjerrim për çështje 1-2 muajsh një tjetër ngjyrues që është i pamanipulueshëm dhe do ndihmojë shumë kjo për të formalizuar deri në fund tregun e naftës, sepse nga të gjitha analizat që bëjmë, ka një sasi nafte e cila është jashtë radarëve të shtetit”.