Statusi i shqipes, si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe “çdo përpjekje për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë, përbën cenim të rendit kushtetues dhe të ardhmes së vendit”.
Ky është thelbi i një letre publike që kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka shkruar sot, transmeton KosovaPress.
“Kthim pas nuk ka! Të drejtat e fituara nuk negociohen dhe nuk zhbëhen. Çdo tentativë për të kufizuar zbatimin e gjuhës shqipe është regres i rrezikshëm. Dhe ata që sot flasin për kufizime duhet ta dinë se po hapin plagë që ky vend i ka mbyllur me shumë sakrifica. Me këto çështje nuk luhet”, ka shkruar ai, përcjellë KosovaPress.
Në këtë letër, kryetari i BDI-së vlerëson se barazia gjuhësore ka forcuar shtetin dhe bashkëjetesën ndëretnike, duke theksuar se shqiptarët nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën dhe identitetin maqedonas, por kanë kontribuar për një shtet të përbashkët dhe euroatlantik.Ai shpreh shqetësim për qasje të caktuara institucionale, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar se në çështje të ndjeshme nuk duhet të dominojnë qasje etnike, por standarde profesionale dhe të bazuara në aktin më të lart juridik të shtetit. Ahmeti thekson se institucionet shtetërore duhet të jenë garantuese të barazisë dhe jo hapësira ku ajo vihet në pikëpyetje.
“Unë besoj në një Maqedoni që ecën përpara, jo pas. Në një shtet që nuk i frikësohet barazisë, por e sheh atë si vlerën e vet më të madhe demokratike. Në një shoqëri ku askush nuk trajtohet si qytetar i dorës së dytë dhe ku gjuha shqipe mbetet ajo që është: pjesë e rendit kushtetues, pjesë e barazisë dhe pjesë e pandashme e të ardhmes evropiane të vendit”, ka shkruar ai.
“Unë e kam thënë qartë: ne nuk kërkojmë më shumë se sa na takon, por nuk do të pranojmë as më pak. Barazia nuk është opsion, është detyrim. Sot problemi nuk është ligji, por mungesa e vullnetit për ta zbatuar atë. Ligjet nuk zbatohen vetë, zbatohen nga institucione dhe nga njerëz që duhet të mbajnë përgjegjësi. Askush nuk ka të drejtë të bllokojë apo të injorojë zbatimin e një të drejte kushtetuese. Kjo nuk është vetëm shkelje ligjore, është shkelje e besimit të qytetarëve”, thuhet në letrën e liderit të BDI-së