Malisheva ka nisur zyrtarisht fushatën e dezinsektimit në zonat endemike të kësaj komune, në kuadër të masave për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK).
Ky proces ka për qëllim reduktimin e rrezikut nga kontaktet me rriqrat, të cilët konsiderohen bartësit kryesorë të virusit të EHKK-së.
Me këtë rast, ai theksoi rëndësinë e zbatimit të Strategjisë Nacionale për parandalimin e EHKK-së dhe falënderoi ekipet e angazhuara në terren.
“Jemi maksimalisht të përkushtuar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Falënderoj të gjithë ata që janë të përfshirë në këto aktivitete dhe u bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse me kujdes të shtuar”, deklaroi kryetari i Malishevës, transmeton KosovaPress.Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me EHKK u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në natyrë dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në rast të pickimeve nga rriqrat.

Rriqrat, sipas informacioneve të përgjithshme mjekësore dhe shkencore, janë parazitë që bëjnë pjesë në grupin e araknidëve, ku përfshihen edhe merimangat dhe akrepat, dhe nuk konsiderohen insekte. Ndryshe nga insektet që kanë gjashtë këmbë, rriqrat e rritura kanë tetë këmbë. Ato ushqehen me gjakun e njerëzve dhe kafshëve, duke u ngjitur në lëkurë dhe duke pickuar. Rriqrat zakonisht gjenden në bar të lartë, pyje, kullota dhe te kafshët shtëpiake apo bagëtitë, ndërsa njihen edhe si bartëse të sëmundjeve të ndryshme, përfshirë Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK). /KosovaPress/