Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka përditësuar të dhënat për rastet e fruthit në vend, ku nga java e kaluar janë konfirmuar edhe katër raste. IKSHPK, njofton se në periudhën 16 prill-12 maj në vend janë konfirmuar katërmbëdhjetë raste të fruthit, raporton KosovaPress.
Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit) si dhe të njëjtit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse.
Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë.IKSHPK rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.