Zbatimi i sigurimeve shëndetësore, furnizimi i rregullt me barna esenciale dhe modernizimi i spitaleve në Prishtinë dhe Mitrovicë janë disa nga premtimet e Partisë Demokratike të Kosovës.
Këto zotime u thanë në një konferencë për media nga i pari dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie Bedri Hamza.
Ai premtoi gjithashtu ndërtimin e Spitalit të Prishtinës dhe spitalit të ri në Mitrovicë, si dhe krijimin e qendrave kombëtare të urgjencës mjekësore.
“Do të zbatoj sigurimet shëndetësore në mënyrë që familjet të mbrohen nga shpenzimet e papërballueshme dhe askush mos të mbetet pa trajtim për arsye financiare. Nën dy, do të sigurojë furnizim të rregullt me barna esenciale dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike. Do të modernizojmë spitalet ekzistuese, do të investojmë në qendrat klinike universitare dhe do të ndërtojmë spitalin e Prishtinës, duke përfshirë edhe spitalin e ri të Mitrovicës. Do të krijojmë qendrat kombëtare të urgjencës mjekësore, që reagimi në raste emergjente të jetë më i shpejtë dhe efikas. Do të investojmë në teknologji dhe pajisje moderne diagnostikuese në mënyrë që qytetarët të mos presin me muaj për ekzaminime. Do të zbatojmë programin kombëtar për kancerin, me diagnostifikim të hershëm, skrining dhe trajtim sipas standardeve evropiane. Do t'i afrojmë shëndetësinë qytetarit përmes mjekësisë mobile, veçanërisht në zonat rurale dhe zonat e larta”, tha ai.Hamza në këtë Konferencë premtoi edhe digjitalizimi të sistemit shëndetsor me dosje elektronike, termine online si dhe projekte për mbrojtjen e qytetarëve nga kostot e larta të trajtimit shëndetsor.
I pyetur për koston e zbatimit të sigurimeve shëndetësore, Hamza tha se fondi do të mbështetet fillimisht nga buxheti i shtetit derisa të krijohen fondet përkatëse nga kontributet e punëdhënësve dhe punëtorëve.