Duke lexuar statistikat, kuptohet qartë se si një infarkt mund të ndryshojë rrjedhën e mirëqenies psiko-neurologjike të personit që goditet nga ataku kardiak, pavarësisht pasojave që mungesa e oksigjenit ka mbi zemrën, shkruan salute.eu.
Mjafton të mendosh se te personat që kanë kaluar një infarkt, incidenca e ankthit dhe depresionit rritet ndjeshëm, duke ndikuar në shëndetin psikologjik dhe neurologjik të individit.
Por, çfarë ndodh realisht tek këta persona?
Një përgjigje përpiqet ta japë një studim i kryer nga ekspertët e University of Ottawa, i publikuar në ”Advanced Sciences”, që përqendrohet te metilglioksali, i njohur si një përbërës i mjaltit Manuka (dhe jo vetëm), por që kryen funksione të ndryshme edhe kur prodhohet natyrshëm nga organizmi.Studimi, i koordinuar nga Erik Suuronen, tregon se si një infarkt mund të ndryshojë në mënyrë drastike funksionet e trurit dhe të shkaktojë efekte neurologjike, nga depresioni dhe ankthi deri te forma të ndryshme të rënies njohëse, pikërisht për shkak të veprimit të dëmshëm të këtij përbërësi.
Veprimi i metilglioksalit
Sipas studimit, bëhet fjalë për një molekulë shumë reaktive, e cila rritet në gjak dhe grumbullohet në tru pas një infarkti.
“Metilglioksali është studiuar gjerësisht për rolin e tij në sëmundjet metabolike, përfshirë diabetin, por dihet shumë më pak për funksionin e tij në patologji të tjera”, shpjegon Suuronen në një deklaratë të universitetit kanadez.
“Në një studim të mëparshëm, zbuluam se metilglioksali prodhohet nga indi kardiak në nekrozë pas një infarkti: mbi bazën e këtyre të dhënave, parashikuam se metilglioksali në gjak do të ndikonte edhe organe e inde të tjera, përfshirë trurin, dhe pikërisht këtë kemi vërejtur”.
“Që ekziston një lidhje e fortë mes zemrës dhe trurit tashmë është e qartë”, thotë Giuseppe Musumeci, drejtor i Kardiologjisë në Ospedale Mauriziano.
“Mjafton të mendosh për të ashtuquajturën sindromë të zemrës së thyer, me shfaqjen e një infarkti akut të miokardit pas një emocioni shumë të fortë, zakonisht pas një zie, që prek sidomos gratë”.
“Mund ta përkufizonim këtë gjendje si një sëmundje kardiake nga ‘dhimbja e zemrës’”, shpjegon Musumeci.
Shfaqja klinike ngjan plotësisht me infarktin, me shenjat klasike të tij, duke nisur nga dhimbja e fortë që përhapet nga kraharori drejt fytit dhe shpatullave.Duke u rikthyer te studimi, perspektivat duken shumë domethënëse. “Ajo që del nga ky studim është e rëndësishme: çdo informacion apo objektiv i ri që mund të ndihmojë në uljen e vdekshmërisë kardiovaskulare është padyshim i mirëpritur”, përfundon Musumeci.