Sport
​Barrett: Kosova po përmirësohet ndjeshëm në Ragbi
Trajneri i Kombëtares së Kosovës në ragbi, Mark Barrett, është shprehur i kënaqur me paraqitjet e ekipit në turneun “Rugby Europe Sevens Conference 2”, duke theksuar progresin e vazhdueshëm të skuadrës pavarësisht konkurrencës së fortë. Ai e cilësoi garën si shumë të fortë, duke rikujtuar se ragbi është një sport relativisht i ri në Kosovë dhe se ekipi është ende në fazë zhvillimi. Sipas Barrett, përballja me vende që kanë traditë të gjatë në këtë sport është sfiduese, por njëkohësisht e vlefshme për përvojën që po fitojnë lojtarët kosovarë. “Është një ditë e shkëlqyer. Është një garë shumë e fortë. Siç e dini, ragbi është një sport mjaft i ri në Kosovë, kështu që ne jemi ende duke u zhvilluar. Po luajmë kundër vendeve që kanë programe të ragbit prej një kohe shumë të gjatë, dhe mendoj se po bëjmë vërtet mirë. Mendoj se shohim shumë përmirësim në çdo ndeshje, po fitohet shumë përvojë, kështu që jam mjaft i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat për momentin”, ka thënë trajneri Mark Barrett. Barrett ka theksuar se dallimi kryesor mes Kosovës dhe kundërshtarëve qëndron në numrin e lojtarëve dhe bazën e gjerë që këto vende kanë në dispozicion. Ai nënvizoi se shtetet tjera kanë qindra lojtarë nga ku përzgjedhin përfaqësuesen, ndërsa Kosova ende nuk e ka këtë luks. Megjithatë, ai u shpreh optimist për të ardhmen, duke theksuar përparimin e madh që ka bërë ekipi në një periudhë relativisht të shkurtër. “Këto skuadra kanë një histori të gjatë në ragbi. Kështu që ata kanë qindra e qindra njerëz që luajnë ragbi, dhe kështu kanë një bazë të madhe lojtarësh nga ku të zgjedhin kur përzgjedhin skuadrat kombëtare. Dhe kështu, kur luan për vendin tënd, është vërtet kulmi i qindra e qindra lojtarëve. Dhe për ne, ne nuk e kemi këtë thellësi dhe këtë numër të madh lojtarësh për të zgjedhur. Kështu që është shumë më tepër që ne po mësojmë, e dini, ndërsa këta njerëz tashmë kanë mësuar. Kështu që ata janë shumë më të zhvilluar në këtë sport. Por ne po bëhemi gjithnjë e më të mirë. Sapo po flisja pikërisht tani me trajnerët e tjerë se sa më mirë luan Kosova tani sesa kur filluam. Dhe kur filluam, ishte vetëm rreth katër vite më parë, në fakt pesë, ky është viti i pestë. Kështu që është një përmirësim i madh, dhe është vërtet e mrekullueshme ta shohësh” tha Barrett. Në këtë edicion marrin pjesë tetë kombëtare të ndara në dy grupe: Kosova, Greqia, Estonia dhe Sllovakia në Grupin B, si dhe Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Gjibraltari dhe San Marino në Grupin A. KosovaPress
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026