Kosova është vendosur në një grup të fortë në garën e basketbollit 3x3 të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku do të përballet me Serbinë, Turqinë dhe Portugalinë. Prania e Kosovës dhe Serbisë në të njëjtin grup ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi në kompeticionet e organizuara nga FIBA, zakonisht shmangen përballjet mes dy shteteve që në fazat e hershme të garës.
Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, tha në një intervistë për KosovaPress, se shorti ishte befasues për federatën, duke kujtuar se në të kaluarën FIBA ka aplikuar praktikën e shorteve të dirigjuara për të mos vendosur Kosovën dhe Serbinë në të njëjtin grup.
Ajo bëri të ditur se Federata e Basketbollit e Kosovës, ka kërkuar sqarime nga organizatorët e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare.
Pavarësisht paqartësive, Dushku theksoi se Kosova do të jetë e gatshme të garojë nëse përballja me Serbinë mbetet pjesë e programit zyrtar të turneut.Dushku përfundoi duke thënë se ditëve në vijim do të diskutojnë me Ministrinë e Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për të parë hapat që do të merren në këtë drejtim.