Pjesëmarrja e Kosovës në Kupën e Botës do të kishte një ndikim të madh në imazhin ndërkombëtar të vendit, vlerësojnë ambasadorët e huaj në Kosovë, për KosovaPress, duke theksuar progresin e dukshëm të futbollit kosovar ndër vite.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u shpreh se do të kishte qenë e mrekullueshme të shihej Kosova në Botëror, duke kujtuar ndeshjen ndaj Turqisë ku ekipi ishte shumë afër kualifikimit.
Ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, theksoi se rrugëtimi i Kosovës është mbresëlënës duke pasur parasysh historinë e re të shtetësisë dhe popullsinë e vogël. Ai nënvizoi se përparimi i ekipit ka reflektuar rritjen e besimit dhe pasionit në vend, duke e cilësuar afërsinë me kualifikimin si një arritje të jashtëzakonshme.
“Ne ishim të dy atje në ndeshjen me Turqinë, dhe unë mendoj se shkova në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës në shtëpi, dhe pashë ekipin duke u rritur dhe rritur. Dhe me këtë, pashë besimin dhe pasionin e Kosovës duke u rritur dhe rritur. Dhe siç thashë natën kur Kosova për pak nuk arriti të kualifikohej ka qenë një vend i pavarur vetëm për 18 vjet me një popullsi prej 1.5 milionë. Dhe të jesh kaq afër shkuarjes në Kupën e Botës në atë kohë ishte një arritje e pabesueshme. Kështu që ka kaq shumë për të ndërtuar dhe unë jam vërtet i emocionuar për fazën tjetër të futbollit të Kosovës”, ka thënë Rudolph.KosovaPress