Turneu ndërkombëtar i Ragbit në Istog, Hani flet për rëndësinë
5-Fifth
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Turneu ndërkombëtar i Ragbit në Istog, Hani flet për rëndësinë
ed2065fb-b64b-45a8-94cd-762d2efd4981 (1)
13/06/2026 - 13:25
Linku u kopjua

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Ragbit të Kosovës, Evzi Hani, ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka organizimi i turneut “Rugby Europe Sevens Conference 2” për vendin, duke e cilësuar atë si një moment kyç në aspektin e diplomacisë sportive.

Sipas Hanit, ky turne e vendos Kosovën në arenën ndërkombëtare si vend organizator, ku shtete të ndryshme marrin pjesë dhe kanë mundësinë të shohin nga afër kapacitetet organizative dhe njerëzit që kontribuojnë në zhvillimin e sportit në vend. Ai ka nënvizuar se një organizim i tillë reflekton ambicien e Kosovës për të avancuar në sportin e ragbit dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që e ndjekin këtë sport.

“Po, për Kosovën është vërtet e jashtëzakonshme rëndësia e këtij turneu në aspektin e diplomacisë sportive, e vendosim Kosovën si vend organizatore në arenën ndërkombëtare ku shtete të ndryshme marrin pjesë dhe shohin vendin tonë se çfarë është në gjendje me organizu dhe çfarë njerëzish ka këtu në Kosovë, dhe në aspektin e zhvillimit të sportit tregon ambicien ku ne dëshirojmë të arrijmë për të gjithë të rinjtë të cilët e ndjekin sportin e ragbit”, ka thënë Hani.

Tutje, Hani bëri të ditur se ekipet pjesëmarrëse janë shprehur të kënaqura me organizimin dhe mikpritjen në Kosovë, duke theksuar se Federata ka pranuar edhe letra zyrtare vlerësimi nga to. Në aspektin sportiv, ai shtoi se kundërshtarët janë të vetëdijshëm se po përballen me një ekip që ka vetëm katër vite që luan ragbi, por pavarësisht kësaj, nuk e nënçmojnë Kosovën në fushën e lojës.

“Kundërshtarët në aspektin organizativ janë të kënaqur, në aspektin e mikpritjes kemi marrë dhe letra zyrtare prej tyre, ndërkaq në aspekt të lojës të cilën e bëjnë ata e kuptojnë se përballen me një ekip i cili ka filluar të luajë këtë sport prej katër vite më parë, tash është viti i katërt dhe nuk e nënçmojnë Kosovën në lojat e tyre”, tha ai.

Ky turne ndërkombëtar i ragbit, i cili po mbahet sot më 13 dhe nesër më 14 qershor 2026, ka mbledhur disa shtete që garojnë për ngritje në nivel më të lartë të garës.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026