Kombëtarja A e vajzave të Kosovës në volejboll po vazhdon të tregojë progres të dukshëm në arenën ndërkombëtare, teksa ka përmbyllur turneun e parë në kuadër të Ligës Evropiane të Volejbollit CEV 2026 në Bosnja dhe Hercegovina.
Megjithëse u mposhtën me rezultat 3-0 nga nikoqirët, vajzat kosovare lanë përshtypje pozitive me paraqitjen e tyre, duke rivalizuar fort në çdo set (25-18, 25-22, 25-23). Sipas stafit teknik, kjo dëshmon rritjen e ekipit dhe faktin se Kosova nuk është më vetëm pjesëmarrëse, por një kundërshtare konkurruese.
“Ne kemi thuajse katër javë që jemi të grumbulluar. Gjithashtu ne e kemi përfunduar turneun e parë të cilin e kishim në Bosnje, kundër Bosnjës dhe ekipit të Spanjës, ku mund të them se ishte një turne shumë i suksesshëm pasi që është hera e parë që ekipi i Kosovës ishte një ekip konkurrues dhe ne arritëm që nga Spanja, nga një kundërshtar shumë i fuqishëm, ta rrëmbejmë një set. Po gjithashtu edhe me ekipin e Bosnjës, ne zhvilluam ndeshje ku rezultatet nëpër sete ishin thuajse të pakuptueshme deri në momentin e fundit, që kjo e bën kombëtaren një ekip shumë më serioz se vitet e tjera”, u shpreh trajneri.
Pas përfundimit të turneut në Bosnja dhe Hercegovina, fokusi i “Dardaneve” zhvendoset te turneu i dytë në Ligën Evropiane të Volejbollit, CEV 2026 i cili do të zhvillohet në Greqi.“Ne e dimë do të thotë i kemi kombëtaret e fuqishme përballë, janë të katër kombëtaret të cilat janë pjesë e një Kampionati Evropian që është tani në garë, po gjithashtu do të thotë edhe konkurrentë për futjen edhe në garë të Kampionatit Evropian pasi që dihet se ne jemi në kualifikime për Kampionatin Evropian. Megjithatë ne presim thashë edhe rezultate shumë të mira dhe ngritje të kombëtares”, tha Ilazi.
Ndërkohë, lojtaret u shprehën optimiste për garat në vazhdim. Kapitenia, Adelajda Prenga, theksoi se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe grupi është më i konsoliduar se viteve të kaluara.
“Është nder, por edhe si ekip kemi qejf t’i prezantojmë ngjyrat e flamurit denjësisht edhe të paraqitemi sa më mirë. Jemi shumë me fat që kemi marrë pjesë në këtë kompeticion, pasi që çdo vit po ngritet kombëtarja. Tashmë është viti i tretë që vazhdimisht merremi me një lloj të kompeticionit të Konfederatës së CEV-it, të Evropës domethënë që Kombëtarja e Kosovës të thirret edhe kjo na ka ndihmu shumë që të ngritemi edhe individualisht, por edhe ta ngritim edhe Ligën e Kosovës pasi që shumica e vajzave janë nëpër ekipet e Kosovës edhe çdo vit e shohim ngritjen nëpër play-off-a ose finale të Kupave të ndryshme gjatë kompeticioneve ose xhiros së rregullt të Kosovës”, shtoi volejbollistja Kadriu.
Pavarësisht kundërshtarëve të fortë, nga kampi i kombëtares mbizotëron optimizmi se me punë dhe përkushtim mund të arrihen rezultate pozitive, duke vazhduar kështu ngritjen e volejbollit kosovar në skenën evropiane.