Mesazhi “Kosova është zemra e Serbisë” është shkruar në fasadën e një ndërtese në zonën kryesore të këmbësorëve në Beograd, ku çdo ditë kalojnë mijëra turistë.
Ky slogan nacionalist, që mohon pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, zëvendësoi një grafit që mohonte gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë.
Aktivistët e organizatës joqeveritare “KROKODIL” e kanë fshirë disa herë atë grafit, por mesazhet nacionaliste kanë vazhduar të rikthehen.
Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga Administrata e Qytetit të Beogradit, as nga Inspektorati Komunal i Komunës Qyteti i Vjetër, në territorin e së cilës është shkruar grafiti.
Çfarë thonë qytetarët?
Lubica, 43 vjeç, po ashtu nga Beogradi, beson se mesazhet e tilla nuk kanë vend në qendër të qytetit.
Edhe pse gjendet në një zonë të frekuentuar këmbësorësh, grafiti nuk i ka rënë në sy Nenadit.
“Nuk e kam parë fare atë grafit derisa ma treguat ju. Nuk kam asgjë kundër politikës shtetërore, por mendoj se do të ishte më bukur sikur të ishte, thjesht, një mur i bardhë”, thotë ai.
Slogani “Kosova është zemra e Serbisë” u përhap në fund të viteve ’80, gjatë rritjes së nacionalizmit serb, dhe u përdor gjerësisht edhe gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.
Ai u përdor nga politikanë, organizata, grupe tifozësh dhe pjesë të Kishës Ortodokse Serbe.
Tel me gjemba për aktivistët
Grafiti u shfaq vetëm pak ditë pasi në Kombet e Bashkuara u miratua rezoluta që shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në vitin 1995, forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e Ratko Mlladiqit, vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Në Beograd shkon sa herë që “KROKODIL” organizon aksione për heqjen e grafiteve dhe thotë se, deri tani, ka marrë pjesë në rreth njëzet të tilla.
“Secili prej nesh duhet t’i lajë dhëmbët çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje. E njëjta gjë është edhe me atë që bëjmë ne - është një lloj mirëmbajtjeje e rregullt e higjienës së qytetit”, thotë Jovanoviq.
Kërcënime me rikthimin e ushtrisë në Kosovë
Rreth njëqind metra larg grafitit “Kosova është zemra e Serbisë”, në rrugën “Sremska”, aktivistët mbuluan në mes të majit edhe grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Policia dhe ushtria e Serbisë u tërhoqën nga Kosova në vitin 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën u ndalën bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, të cilat nisën për shkak të krimeve të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.
Muralet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” janë shfaqur në gjithë Serbinë edhe më shumë se tre vjet më parë.
Murali “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” në rrugën "Sremska" në Beograd u mbulua nga aktivistët, por persona të panjohur e rikthyen shumë shpejt në të njëjtin vend.Muralet nuk janë të nënshkruar, por një portal i lidhur me tifozët e klubit të futbollit “Crvena Zvezda” ka pohuar se ata e kanë vendosur këtë varg në disa lokacione në Beograd.
Jovanoviq thotë se grafitet nacionaliste rikthehen shpejt, sepse, sipas tij, shkrimi i tyre mbështetet nga pushteti.
Çfarë thotë ligji?
Të dhëna publike për ndonjë person të ndëshkuar për shkrimin e këtyre grafiteve, nuk ka.
Komuna e Beogradit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për numrin e kallëzimeve kundër personave që kanë vendosur grafite nacionaliste në pesë vjetët e fundit.
Megjithatë, Gjykata për Kundërvajtje në Beograd ka shqiptuar disa vendime lirimi për aktivistët, duke vlerësuar se nuk është provuar që ata kanë kryer kundërvajtje.
Një gjobë prej 25 eurosh ka paguar aktivisti opozitar dhe mësuesi Dejan Petroviq nga Nishi, pasi ka mbuluar muralin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” që ndodhej në oborrin e shkollës ku ai punon.
Jovanoviq thotë se që nga momenti kur është përfshirë në këto aksione, nuk ka marrë asnjë kallëzim nga policia komunale.
“Disa, madje, mendojnë se jemi shërbimi komunal i qytetit që po e kthen murin në gjendjen e mëparshme. Na ka ndodhur edhe që të na marrin për bojaxhinj dhe të na pyesin nëse mund t’ua lyejmë banesën”, rrëfen Jovanoviq.
Ai shpreson se veprimi i tyre do të nxisë edhe individë të tjerë me qëndrime liberale dhe proevropiane të përfshihen në “pastrimin” e hapësirave publike.
Njëri nga muralet më të njohura u vendos në rrugën “Njegosheva”, në qendër të Beogradit.
Pas mbulimit nga aktivistët në maj të vitit 2023, ai nuk u rikthye më.
Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka dorëzuar, ndërkohë, mbi 300 kallëzime në dhjetë qytete në Serbi, duke kërkuar heqjen e grafiteve që madhërojnë Mlladiqin.