Profesioni i mësuesit në Kosovë po përballet me sfida të reja dhe rrezikon të mos tërheqë kuadrot më të mira, u tha në hapjen e konferencës ndërkombëtare KICER 2026 në Prishtinë. Aty u shtrua nevoja që praktikat më të mira duhet të shndërrohen në udhërrëfyes të politikave shtetërore në arsim, raporton KosovaPress.
Ishte ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku i cili e tha se kjo konferencë duhet të nxisë diskutim për të ndarë përvojat e mira.
Në kuadër të kësaj konference vëmendje e posaçme iu kushtua edhe arsimit të hershëm, për çka rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu i cili theksoi rëndësinë që ka përmirësimi i cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.
“Të gjitha studimet tregojnë që arsimi i hershëm do të fillojë prej kopshteve edhe në formësimin në shkollat fillore e të mesme është fort i rëndësishëm. Kur vijnë tek ne në universitet, atëherë duhet edhe t'i trajtojmë edhe t'i shohim si kolegë. Të përmend këtë, vetëm me rikujtu, jo me ju mësu ju profesorët e Fakultetit të Edukimit për rëndësinë e fushës ku ju kontribuoni dhe punoni çdo ditë, që jemi shumë të varfër për me injoru një sektor kaq të rëndësishëm drejt një shoqërie të dijes. Jam i bindur që vullneti nuk ka munguar asnjëherë më parë, po as tani nga Ministria e Arsimit dhe nga secili dhe secila anëtare e kësaj shoqërie, po ne duhet të shohim dhe të mësojmë se çka po bëjmë mirë, e çfarë duhet bëjmë edhe më mirë”, tha Hajrullahu.“Çdo konferencë është një mundësi për shkëmbim dhe prezantim të rezultateve shkencore, por kjo konferencë ka dhe një dimension pak më ndryshe, një dimension tjetër. Ky është, krijon një hapësirë për reflektim, diskutim me të cilat po përballet profesioni i mësuesit në ditët e sotme. Duke ditur se ekziston një dakordësim i gjerë për t'i cilësuar shkollat sot në Kosovë, është momenti sot dhe asnjëherë më parë që t'i bëjmë disa pyetje që janë shumë relevante. Si po ndryshon profesioni i mësuesit? Cili është statusi i tij në shoqëri? Apo arrin të tërheqë kuadro dhe talente më të mira në këtë vend dhe këtë profesion?”, tha Saqipi.
Ndryshe, në edicionin e sivjetmë – i gjashti me radhë i konferencës dyditore "Kosova International Conference on Educational Research- KICER 2026" në Fakultetin e Edukimit në Universitetn e Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfshihen ligjërata nga nga profesorë, si dhe pritet të ketë një numër të madh të prezantimeve shkencore të organizuara në 22 sesione paralele.