Qeveria e Shqipërisë, ka bërë gati një reformë thelbësore në arkitekturën financiare të vendit, duke hartuar një projektligj të ri organik për Bankën e Shqipërisë. Nisma ligjore, e konsultuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore të Luksemburgut, synon të shkëpusë përfundimisht bankën qendrore nga çdo ndikim shtetëror, duke e përafruar atë me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe duke përgatitur terrenin ligjor për adoptimin e monedhës Euro në të ardhmen, shkruan RTSH, përcjell KosovaPress.
Një nga shtyllat qendrore të projektligjit të ri është blindimi i pavarësisë institucionale, personale dhe financiare të Bankës së Shqipërisë. Ligji i ri sanksionon ndarjen e prerë të vendimmarrjes monetare nga politikat e ditës së ekzekutivit.
“Banka e Shqipërisë, organet e saj vendimmarrëse dhe personeli i saj nuk kërkojnë dhe nuk marrin udhëzime nga institucionet shtetërore apo nga subjekte të tjera gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndërsa institucionet dhe subjektet e tjera janë të detyruara të respektojnë këtë pavarësi.”, thuhet në ralacion.
Për të garantuar këtë autonomi, projektligji vendos gjithashtu një rregull të fortë: ndalimin e financimit monetar të sektorit publik. Banka e Shqipërisë do të veprojë si agjent fiskal i qeverisë, por i ndalohet rreptësisht të shërbejë si “kreditore” e saj në raste krizash apo deficitit buxhetor.Stabiliteti i çmimeve si objektiv parësor
Në linjë me Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian, projektligji ripërcakton hierarkinë e objektivave të institucionit. Ruajtja e stabilitetit të çmimeve mbetet misioni parësor absolut. Objektiva të tjerë, si mbështetja e stabilitetit financiar apo e politikave ekonomike të qeverisë, janë dytësore dhe mund të ndiqen vetëm nëse nuk rrezikojnë objektivin kryesor.
Pjesë e rëndësishme e draftit janë Kapitujt XIV dhe XV, të cilët shërbejnë si mekanizma tranzicioni automatik ligjor për momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe më pas, në Bashkimin Monetar Evropian.
Në momentin e adoptimit të monedhës së përbashkët, Banka e Shqipërisë do t’i kalojë kompetencat e saj kryesore në lidhje me politikën monetare te Banka Qendrore Evropiane (BQE), duke u bërë pjesë integrale e Eurosistemit dhe duke i transferuar asaj administrimin e rezervave valutore.
Rritja e kapitalit në 6 miliardë lekë
Për të mos rënduar buxhetin e shtetit, ky operacion financiar do të mbulohet kryesisht nga vetë institucioni.
“Rritja fillestare e kapitalit të nënshkruar të Bankës së Shqipërisë deri në vlerën 6 miliardë lekë të kryhet në radhë të parë nga rezervat e veçanta të krijuara nga fitimet e vetë Bankës së Shqipërisë, ndërsa vetëm në rastin kur këto rezerva nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shumën e përcaktuar, diferenca financohet nga Ministria e Financave.”, sqaron relacioni.